Lajme Shqip Friday, 07 October 2011 10:02

Prishtinë – Më 4 tetor ka nis gjyqi në skandalin “Medicus”. Aktakuza në rastin “Medicus” është konfirmuar në maj, derisa në korrik një prokuror i EULEX-it ka ngritur aktakuzë dhe ka lëshuar urdhërarrest kundër mjekut turk, të njohur si “Doktor Vdekja”, Yusuf Ercin Sonmez dhe izraelitit Moshe Harel. Sonmez akuzohet për kryerjen e veprës penale të trafikimit me qenie njerëzore, krim të organizuar dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore, ndërsa Moshe Harel akuzohet për veprat penale të trafikimit të personave dhe atë të krimit të organizuar. Mbi mjekun Lutfi Dervishi, djalin e tij Arban Dervishi, Driton Jiltan dhe Sokol Hajdinin, rëndojnë gjithashtu akuza të rënda.

Ata kanë kryer veprën penale “të trafikimit me njerëz, duke marrë pjesë në heqjen e organeve njerëzore për transplatim te personat tjerë, me qëllim të shfrytëzimit”.

Portali LajmeShqip.com e publikon të plotë dokumentin ekskluziv, prej 48 faqesh, të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 15 tetor 2010, ndaj doktorëve “gëlltitës” të organeve njerëzore në Kosovë. Aktakuza, me të gjitha detajet e këtij fragmenti të zi të shëndetësisë kosovare, përmban të dhënat e një historie prej miliona eurosh, të ngritur mbi fatkeqësitë e njerëzve të trafikuar nga të gjitha anët e botës.

Deri në 30 viktima arrin shifra e të “trajtuarve” jashtëligjshëm në klinikën “Medicus”. Ata që shisnin veshkën, merrnin para, kurse nënshkruheshin si donatorë humanë dhe të vullnetshëm, ndërkohë që “blerësit” paguanin shifra të larta për një veshkë.

Shtetas të huaj, të rekrutuar në Turqi, si romë, moldavë, kazakistanas, rusë e turq, si dhe të tjerë prej brenda Kosovës, kanë qenë “donatorë” për nevojtarë të shumtë nga mbarë bota, që vinin në Kosovë për organin e domosdoshëm për jetë. Të trafikuarit arrinin në Kosovë përmes linjash ajrore, me premtime të rrejshme nga “bossët” e këtij rrjeti të zi, kurse këtu, nën gërshërët dhe brisqit e kirurgëve specialistë, e linin njërën nga veshkat, konform një kompensimi finaciar.

Një treshe nga Kosova, Turqia dhe Izraeli është koka e rrjetit më të tmerrshëm të trafikimin me njerëz dhe organe njerëzore, të kryer në vitet e fundit në Kosovë. Dy prej tyre doktorë – Dr. Lutfi Dervishi (kosovar), Dr. Yusuf Sonmez (turk) dhe Moshe Harel (trafikant nga Izraeli), kanë udhëhequr grupin kriminal të tregtisë së paligjshme me organe njerëzore, të kryer në klinikën “Medicus”, në Prishtinë.

Sipas dokumentit të aktakuzës, më vonë atyre iu janë bashkuar në këtë veprimtari kriminale edhe Arban Dervishi (i biri i Dr.Lutfi Dervishit), Driton Jilta dhe Sokol Ajdini, si mbështetës të punës, në menaxhimin dhe akomodimin e brendshëm të të trafikuarve, “donatorëve” të veshkave dhe blerësve të tyre.

Historia e këtij fragmenti të tmerrshëm të shëndetësisë në Kosovë, ka filluar kapitullin përmbyllës të saj, në vjeshtën e këtij viti, kur kanë dalë para gjyqit. Për këto akuza po përgjigjen  pronari i “Medicus”-it, Dr. Lutfi Dervishi, djali i tij dhe menagjeri i klinikës private “Medicus”, Arban Dervishi, Driton Jilta, dhe Sokol Hajdini. Ndërkaq, në kërkim me fletarrest ndërkombëtar janë edhe shtetasit e huaj, turku Dr. Yusuf Sonmez, i njohur me nofkën “Doktor Vdekja” dhe koordinatori ndërkombëtar i trafikimit të njerëzve në këtë aferë, izraeliti Mosha Harel. Drejtësia turke kishte kërkuar, madje, 171 vjet burgim për doktorin e famëkeq, Sonmez.

Dëshmitarë në këtë proces të gjerë gjyqësor do të jenë edhe mbi tridhjetë persona të ndryshëm, vendorë e ndërkombëtarë, pacientë – shitës e blerës të organeve, doktorë të shumtë e infermierë të angazhuar për vite me radhë në klinikën “Medicus”, që nga viti 2000 e deri në vitin 2008, ministra e zyrtarë të lartë, të cilët në periudhën në të cilën e përfshinë aktakuza, kanë bartur funksione të larta.

Portali LajmeShqip.com, e përcjellë në vijim dokumentin e plotë të aktakuzës, ku pikë për pikë përfshihet e tërë historia e priamidës së organizimit, nisjes dhe funksionimit të këtij rrjeti kriminal, që trafikoi njerëz dhe bëri transplant ilegal të organeve në Kosovë. (LajmeShqip.com)