Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 13:15

Prishtinë – Disa VIP-a kosovarë kanë rënë në rrjetën e Policisë së Kosovës, si përdorues kokaine. Osman Azemi aktor i grupit Stupcat(të njohur për publikun shqiptar edhe për pjesmarrjen në emisionin humoristik Portokalli), i njohur për rolet e tij të Sabiles, Teta Xhylit, Fahrush Profesorit e role tjera, kryesisht grash, është zënë duke blerë kokainë të pastër nga një grup djemsh që akuzohen si shpërndarës të drogës në Prishtinë.

Në këtë rrjet të policisë ka rënë “si peshk” edhe ai që kohët e fundit është i njohur nga mediat si menaxheri i këngëtares Dafina Zeqiri, Drin Zatriqi, i cili është edhe djali i ish-drejtorit të RTK-së, Agim Zatriqi. Kësaj rrjete nuk ka mundur t’i shpëtojë as djali i njërit prej politikanëve shqiptarë të Maqedonisë, Ilir Xhaferi. Djali i politikanit nga Tetova, Arbën Xhaferi, ka rënë në përgjime të policisë, duke porositur kokainë nga disa dilerë të rinj. Fat të njëjtë me këta VIP-a kanë pasur edhe Sejdi Behrami, Edin Spahija dhe Abedin Canolli.

Zbulimi i tyre, duke blerë mall në paketime të vogla, me një çmim 50 euro, është bërë nga Policia e Kosovës, Njësia kundër narkotikëve. Në kohën kur ishin duke zbatuar masat e fshehta kundër një grupi të rinjve, ata i kanë identifikuar si përdorues droge.

Portali LajmeShqip.com e ka zbuluar këtë nga një aktakuzë e Prokurorisë së Prishtinës kundër Kushtrim Hazirit, i lindur më 1986 në Prishtinë, Agon Shehollit, i lindur në vitin 1987 në Prishtinë, Visar Cimilit, i lindur më 1988 në Vushtrri, Sead Humollit i lindur më 1988, në Lupç të Podujevës dhe Arsim Cimilit, i lindur më 1986 në Vushtrri. Ata akuzohen nga kjo prokurori se nga janari i vitit 2011 e deri më datën 8.5.2011 kanë shpërndarë, transportuar, poseduar, blerë, shitur e dërguar substanca të rrezikshme, duke vepruar si anëtarë të grupit.

“Fillimisht, i akuzuari Kushtrim Haziri është furnizuar me sasi të ndryshme të narkotikut, të llojit kokainë, në Shqipëri e pastaj pasi e ka paketuar në qese të vogla e ua ka dhënë të akuzuarve Agon Sheholli, Sead Humolli dhe Visar Cimili, të cilët ua kanë shitur personave të ndryshëm në Prishtinë, si Drin Zatriqi, Osman Azemi, Sejdi Behrami, Edin Spahija, Abedin Canolli, Ilir Xhaferi etj., në qese me çmim prej 50 eurosh”, potencohet në aktakuzë.

Në këtë dokument zyrtar thuhet se, në fund të muajit prill, një sasi të drogës e kanë vendosur në lokalin e Arsim Cimilit, i cili, gjithashtu, ka filluar me shpërndarjen e sasive sipas porosisë së të akuzuarve Kushtrim Haziri dhe Visar Cimili, mirëpo, pas një aksioni të rrufeshëm të policisë kosovare, ajo është zbuluar në lokalin e të akuzuarit Arsim Haziri, që përdorej për rregullimin e televizorëve, në lagjen Ulpiana. Në një dhomë të ndarë të këtij lokali, organet kosovare kanë gjetur 55 gram kokainë, të ndara në 95 qese të vogla.

Prokuroria do t’i ftojë si dëshmitarë gjatë gjykimit Drin Zatriqin, Osman Azemin, Sejdi Behramin, Edin Spahinë, Abedin Canollin dhe Ilir Xhaferin, për çudi si dëshmitarë të dëmtuar.

Gjatë ekzaminimit në polici, të akuzuarit kanë deklaruar se janë përdorues të drogës dhe jo dilerë. Por, Prokuroria i hedh poshtë këto pretendime. Prokuroria ka thënë se, sipas dëshmive të Drin Zatriqit, Osman Azemit, Sejdi Abedinit dhe Ilir Xhaferit, rezulton qartë se të gjithë kanë shitur narkotikë të llojit kokainë, dhe një qese të vogël me kokainë e kanë shitur në këmbim të 50 eurove.

Portali LajmeShqip.com po hulumton përfshirjen në kokainë edhe të disa këngëtarëve e këngëtareve kosovare. Burimet i kanë thënë portalit se ka edhe shumë të tjerë që përdorin kokainë. Ky lloj narkotiku është më i shtrenjti në treg. Në tregun e Shqipërisë, një kilogram kokainë varion nga 1 milion e 200 mijë euro deri në 1 milion e 400 mijë euro. (LajmeShqip.com)

{fotogaleria}

{/fotogaleria}