Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 08:57

Mafia e Kosovës: Vrasjet dhe frikësimet (II)

Hetimi i shërbimit të fshehtë në hije.

PRISHTINA, Kosovë — E njohur si K-SHIK, një shkurtesë në gjuhën shqipe për Shërbimin Kombëtar të Inteligjencës së Kosovës, gjithmonë ka operuar në hijet e qosheve të errëta të Kosovës.

(Ilustrimi nga by Antler/Photo nga Armend Nimani/AFP/Getty Images)

Kështu ishte deri sot. “GlobalPost” ka intervistuar një informator kyç të një hetimi penal për vrasje të dyshuara të K-SHIK-ut si edhe disa viktima të taktikave të dyshuara të frikësimit të SHIK-ut. Në një seri intervistash jashtëzakonisht të sinqerta, këto burime kanë dalë përpara për të hedhur dritë të re në mbështetjen e SHBA–së operacioneve K-SHIK-ut në Kosovë, dhe historinë e dyshuar të K-SHIK-ut lidhur me synimin përfrikësim, dhe dyshim për vrasje te kundërshtarëve politikë.

Me ngritjen e një shtabi këtu në kryeqytetin e Kosovës pas luftës së vitit 1999, agjencia e njohur e inteligjencës u bë një entitet ekstraligjor që në fillim ishte nën komandën e fitimtarëve dhe aleatëve të SHBA-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Më vonë ajo u drejtua nga Partia Demokratike e Kosovës, thonë burimet kosovare dhe amerikane. Udhëheqësi i partisë është kryeministri, Hashim Thaçi, i cili kohët e fundit u zgjodh për një mandat të dytë dhe që vazhdon të marrë mbështetje nga nivelet më të larta të pushtetit në Uashington.

Sot, nuk ka më një seli fizike, dhe zyrtarisht shërbimi i zbulimit nuk ekziston, sipas njeriut që kryesoi ne agjenci për nëntë vjet. Por, burime të lidhura me SHIK-un, siç është më së shpeshti i njohur, thonë se ai mbetet aktiv në zbatimin e “status quo-s” politike përmes frikës dhe kërcënimit.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të NATO-s, të cilët luftuan për të larguar forcat jugosllave nga Kosova në vitin 1999, siguruan mbështetje për SHIK-un, në bazë të vetë ish-shefit të shërbimit të inteligjencës.
Ish-kreu i shërbimit të zbulimit, Kadri Veseli, një aleat kyç i Thaçit, zbuloi në një intervistë ekskluzive me “GlobalPost’ se ai ka marrë mbështetjen e SHBA-ve, duke thënë: “Ne patëm shumë partnerë – 25 shërbime të zbulimit… SHBA, ata na ndihmuan shumë”.

Veseli e mohon se SHIK-u ka kryer vrasje sistematike politike, por ai thotë se shërbimet e huaja të inteligjencës e kanë ndihmuar SHIK-un “në çdo mënyrë”. Ai refuzoi për të diskutuar hollësitë se si ka vepruar organizata.
Një dyzinë e gjysmë burimesh, duke përfshirë edhe një tjetër ish-operativ të SHIK-ut, një ish-mbledhës fondesh të UÇK-së, një diplomat perëndimor me njohuri të rajonit dhe një analist politik kosovar, konfirmuan se Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur SHIK-un, e cila kurrë nuk është mbikëqyrur zyrtarisht nga një qeveri, apo organ ndërkombëtar.

 

Ish vrasës

Në një shtëpi të ruajtur rëndë nga trupat e NATO-s, i vetëshpalluri vrasës i SHIK-ut, Nazim Bllaca, tha për “GlobalPost” se SHIK-u kishte  organizuar një fushatë vrasjesh politike pas përfundimit të luftës së vitit 1999. Gjatë kësaj periudhe, tha ai, qindra pjesëtarë të pakicave serbe të Kosovës, dhe shqiptarëve të Kosovës, të dyshuar për bashkëpunim me forcat e Sllobodan Millosheviçit apo anëtarë të një partie kundër asaj fitimtare të UÇK-së, u vranë.

Nuk dihet se sa prej këtyre vrasjeve të dyshuara në Kosovë besohet se janë kryer nga SHIK-u, por që nga biseda me “GlobalPost”, Bllaca ka pranuar të dëshmojë në një tjetër gjyq që filloi në mesin e marsit, atë të dy ushtarëve të ish-UÇK-së me të cilët ai iu kishte thënë prokurorëve se kishin vrarë një burrë shqiptar në qershor të vitit 1999.

Trupat e NATO-jashtë dyerve të Bllacës ishin atje për ta mbrojtur atë, shpjegoi ai, nga vrasësit e mundshëm që do të përpiqen për ta heshtur atë, pasi ai ka pranuar të dëshmojë kundër SHIK-ut.
“Unë kam qenë pjesë e një organizate kriminale dhe të paligjshme, të quajtur SHIK”, tha Bllaca. “Unë jam autori i një vrasjeje dhe kam asistuar në shumë të tjera… Personalisht, grupi im dhe unë jemi marrë me bashkëpunëtorët dhe vrasjet politike”.

Dy politikanët shqiptarë të Kosovës, njëri ish-zv/kryeministër, mbështetën pretendimet e vrasësit të vetëshpallur, duke thënë se agjentët e shërbimit të zbulimit u përpoqën për t’i vrarë ata. Bllaca tha se, në fakt, ishte ekipi i tij që u përpoq t’i vriste këta dy burra.
Prokurorët në EULEX, një mision i Bashkimit Evropian që punon me zyrtarët e Kosovës në zbatimin e sundimit të ligjit, janë duke përgatitur padinë për Bllacën mbi akuzat për vrasje, tentimvrasje dhe përfshirje në krim të organizuar, sipas dokumenteve të EULEX-it, të parë nga “GlobalPost”, dhe sipas vetë Bllacës, i cili është duke bashkëpunuar me prokurorët e EULEX-it. Bllaca iu ka thënë prokurorëve se një ish-zyrtar i lartë i UÇK-së, një aleat i ngushtë i Thaçit, me emrin Azem Syla, e urdhëroi t’i bëjë vrasjet. Prokuroret e EULEX-it nuk pranuan të thonë se a planifikojnë ta padisin dikë tjetër lidhur me këto vrasje.

“Qëllimi im është të hedhë dritë mbi të gjitha vrasjet në Kosovë”, tha Bllaca.
Veseli mohoi se ai apo SHIK-u kanë qenë ndonjëherë të përfshirë në vrasje apo në ndonjë krim. “Nazim Bllaca kurrë nuk ishte pjesë e SHIK-ut”, tha Veseli, 43, gjatë një interviste më shumë se dy orënë një restorant në Prishtinë. “Ne kurrë nuk ishin në kontakt me të”.
As Veseli e as Thaçi nuk kanë qenë të akuzuar për ndonjë rast penal.

Përfshirja amerikane

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christoffer Dell, refuzoi kërkesat e përsëritura për një intervistë, ashtu si edhe zyrtarët në Departamentin e Shtetit, në Uashington. Ata, gjithashtu, nuk pranuan të përgjigjen në pyetjet me shkrim.

Shumica e njerëzve të cilët biseduan me “GlobalPost” për SHIK-un, aktivitetet e tij dhe lidhjet e tij me qeverinë amerikane, folën në kushte anonimiteti, për shkak se ata nuk dëshironin të përballen me pasojat.
Ajo u sponsorua nga CIA, “tha një ish-zyrtar i lartë amerikan në Kosovë, i cili beson se SHIK-u u shndërrua në një organizatë të krimit të organizuar. “Në fillim kanë qenë rreth 16 të zgjedhur enkas, të trajnuar, të pajisur dhe të veshur dhe që bënin gjëra të mira… por ajo në çka u shndërrua ishte një metodë për të mbajtur kontrollin e krimit dhe të politikës në Kosovë”.

Një ish-zyrtar amerikan tha se SHIK-u ende mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe se tani është “më i fortë se që ishte ndonjëherë”.
“SHBA-të kanë qenë të përfshira në trajnimin e të dyjave – SHIK-ut dhe strukturave të sigurisë në Kosovë”,  tha një diplomat perëndimor, me njohuri rreth rajonit.
Një ish-operativ i SHIK-ut, i cili më nuk jeton në Kosovë konfirmoi se ai kishte qenë i trajnuar në Shtetet e Bashkuara, dhe në Gjermani nga zyrtarët e zbulimit amerikan.

“Veseli kishte lidhje të drejtpërdrejta me inteligjencën amerikane dhe angleze”, tha Florin Krasniqi, një ish-mbledhës fondesh për UÇK-në, tani anëtar i Parlamentit të Kosovës. “Çdo gjë që amerikanët dhe anglezët dëshirojnë, ai ua servon, në pjatë… Kadri Veseli ishte financuar, mbështetur dhe furnizuar nga këto agjenci”.

Veseli ishte mjaft miqësor me zyrtarët e SHBA-së, për t’u ftuar për të paktën një, ndoshta më shumë, në Barbecue festimet e 4 Korrikut në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, në bazë të tre burimeve, duke përfshirë një që e panë atë në këtë festë. Veseli nuk e ka kontestuar që ai mori pjesë në festimet e 4 Korrikut në ambasadë, edhe pse ai nuk do ta konfirmonte drejtpërdrejt praninë e tij atje.

Ka indikacione të forta se zyrtarët amerikanë dinin rreth dyshimeve për përfshirjen e dyshuar të SHIK-ut në synimet e tyre ndaj kundërshtarëve politikë edhe pse, si Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera të NATO-s, siguronin mbështetjen  SHIK-ut.

Një raport i shërbimit të fshehtë i vitit 2004 vë në dukje se një bashkpuntor i Thaçit dhe ish-komandant i UÇK-së, komandant Xhavit Haliti me Kadri “SALI” Veselin, shefi i K SHIK-ut, kanë përgatitur një “Listë të zezë” të politikanëve të moderuar të cilët ishin frikësuar nga K-SHIK-u dhe përkrahësit e PDK-së. “Nuk është e njohur se kush në qeverinë amerikane e ka parë raportin, por diplomati i“mirë-informuar” perëndimor konfirmoi se zyrtarët në Uashington e kishin parë raportin. (Raporti është e shënuar “Secret Rel SHBA KFOR and NATO”, i cili është kod standard i Pentagonit për “Sekret – i lejuar për Shtetet e Bashkuara dhe NATO”. KFOR-i është forca e NATO-s në Kosovë).

I njëjti raport i zbulimit thotë: “K-ShiK ka lidhje të forta me një numër të organizatave kriminale kosovare dhe burimi i financimit të tyre janë veprimtari të paligjshme të tyre… K-ShiK, gjithashtu, përdorë taktika të frikësimit për të marrë fonde nga kompanitë”.

Një tjetër raport i zbulimit, autori i të cilit tani është agjencia e inteligjencës gjermane, BND, në vitin 2005 thekson në gjermanisht: “SHIK-u u zhvillua në formën e tanishme në gjysmën e dytë të vitit 1999, në Prishtinë, me iniciativën e Thaçit. THAÇI (dhe ish-lideri i UÇK-së dhe kryeministri Ramush HARADINAJ), ndër të tjerë, e përdorën atë për të rekrutuar kandidatë të përshtatshëm për shërbimin policor të Kosovës dhe TMK-së [Trupat Mbrojtëse të Kosovës, një forcë e përgjigjes urgjente, e përbërë kryesisht nga ish-ushtaret e UÇK-së]. Në realitet, shërbimi është i përfshirë kryesisht në aktivitetet e spiunimit, frikësimit dhe eliminimit fizik të forcave demokratike”.

Duke akuzuar Sylën dhe SHIK-un dhe me implikimin e Thaçit dhe Veselit – për pjesëmarrje në vrasjet politike, Bllaca sulmon në zemrën e strukturës së fuqisë në Kosovë dhe të reputacionit. Nuk ka figura më të fuqishme politike në Kosovë se Thaçi, një aleat i ngushtë amerikan, i cili është marrë në Shtëpinë e Bardhë dhe që e ka pritur Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton në Prishtinë.

Nëse Bllaca dënohet, ai do të shkojë në burg për shumë vite. Megjithatë, ai dukej shumë optimist. Ai ishte i rruar dhe i pastër, kishte një prerje të re dhe bënte shaka me ushtarët italianë që e ruajnë atë. Motivet e tij vështirë kuptohen.
Disa analistë mendonin se Bllaca është nxitur nga frika, në vend të fajit, dhe vendosi që mënyra e vetme për të shpëtuar jetën e tij ishte që të dorëzohet dhe të kërkojë një marrëveshje mbi pranimin e fajësisë. Në të vërtetë, në intervistë me “GlobalPost”, ai foli për një shkëputje me SHIK-un disa vjet më parë dhe se si ai beson se tani ka një çmim prej 100.000 eurosh për kokën e tij.
Veseli, një ndër objektivat e Bllacës, beson se Bllaca ka vrarë njerëz, siç pretendon ai. “Por, jo si një anëtar i SHIK-ut”, tha Veseli.
“Ndoshta ai tani është i çmendur”, tha Veseli, duke ngritur supet.

 

Viktimat

Një tjetër person i cili beson në pretendimet e Bllacës, është Buki Kllokoqi, i biri i njeriut të cilin Bllaca thotë se ai e vrau.
Me vite të tëra familja Kllokoqi ka heshtur lidhur me këtë çështje, por Buki dhe nëna e tij, Drita, pranuan të intervistoheshin në shtëpinë ku Ibush Kllokoqi u vra më 6 gusht 1999.
“Bllaca ishte urdhëruar për ta bërë këtë,” tha Buki Kllokoqi, 30, një specialist i IT në një kompani ndërkombëtare që ka zyrë në Prishtinë. “Ata që e urdhëruan ate janë kriminelët e vërtetë në këtë rast. Ai është vetëm një kukull”.

Kllokoqi, me anglishten e tij të përsosur, me theks amerikan, foli me zemërim të kontrolluar për vrasjen e babait të tij. Ka një atmosferë të frikës dhe frikësimit në Kosovë, që gjithmonë i ka penguar dëshmitarët të flasin publikisht ose në gjykatë, kundër ish-zyrtarëve të lartë të UÇK-së. Kllokoqi është tjetër. “Unë me të vërtetë nuk mërzitem në lidhje me atë që ata mund të thonë apo të bëjnë”, tha ai, kur u pyet nëse ai ishte i shqetësuar për pasojat e diskutimit për vdekjen e të atit të tij.
Kllokoqi refuzoi t’iu përgjigjet pyetjeve në lidhje me atë se cilët individë ai i mban si përgjegjës për vrasjen e babait të tij, por ai ishte jashtëzakonisht i sinqertë për të thënë se akuzat e Bllacës për atë se kush ishin shefat e tij, ishin të vërteta për të.

“Kjo ka kuptim për mua”, tha ai. “Kush tjetër do ta donte babanë tim të vdekur?”.
Kllokoqi theksoi se ai dhe babai i tij dhe e gjithë familja, ishin dhe do të mbeten mbështetës të fortë të UÇK-së dhe Kosovës. “Individë të caktuar, në emër të UÇK-së, bënë krime, por kjo nuk do të thotë se UÇK-së është e keqe”, tha ai. “Ata e përdorën flamurin e UÇK-së për të bërë çfarëdo që ata e bënë”.
Ajo çfarë i solli vrasësit në dyert e portës së Kllokoqit atë natë të gushtit të vitit 1999, ishte një keqkuptim në lidhje me Ibush Kllokoqin, thanë djali dhe gruaja e të vdekurit. Ibush Kllokoqi ishte një zyrtar i lartë në shërbimin  e inteligjencës së Jugosllavisë së vjetër”, tha i biri i tij. “Ai e la punën e tij në vitin 1991″, tha ai. “Detyra e tij ishte e pushtuar nga serbët. Ai nuk ishte një bashkëpunëtor… Ai mori pensionin e tij dhe u largua. Sepse ai nuk dëshironte të bëhej pjesë e makinerisë terroriste sërbe”.

Për fat të keq Ibush Kllokoqi kishte mësuar “shumë gjëra për të gjithë ata”, tha Buki Kllokoqi, duke iu referuar kriminelëve shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët më vonë u bënë të fuqishëm në UÇK.
Pasi ka dalë në pension, Ibush Kllokoqi kishte blerë dy autobusë të dhënë me qira, tha i biri i tij, por biznesi nuk ishte i suksesshëm. Gjatë luftës së vitit 1999 familja u largua në Mal të Zi. Rrugës, tha Drita Kllokoqi, disa burra serbë “e rrahin shumë keq burrin tim.”

Pasi u kthyen në shtëpi, në Prishtinë, pasi serbët kishin hequr dorë nga Kosova, familja njoftoi se ata dëshironin t’i shitnin autobusët e tyre. Prandaj, nuk ishte aspak surprizë, kur tre burra erdhën te dyert e portës, në murrin që rrethonte shtëpinë e kësaj familjeje, në një rrugë me pjerrtësi në qendër të Prishtinës. Meshkujt pyetën për autobusët që ishin në shitje.

“Unë dola jashtë”, tha Drita Kllokoqi, 59. “Ishin tre vetë, por vetëm njëri iu afrua portës. Të tjerët qëndronin prapa tij. I thash burrin tim të dalë jashtë”.
Ishte ora rreth 09:00 e mbrëmjes dhe Ibush Kllokoqi ishte duke ngrënë darkë. Ai mbante një copë byrek në duart e tij, kur doli në oborr te porta. “Sapo ktheva shpinën, dëgjova të shtëna”, tha Drita. “Të paktën tre, ndoshta katër. U ktheva dhe e pashë atë të shtrirë në tokë. Ai ishte ende gjallë”.

Ai vdiq pas pak.
Drita kujton shumë pak tjetër në lidhje me vrasjen. “Nuk e mbaj në mend as fytyrën e personit me të cilin kisha biseduar”, tha ajo.
Bllaca thotë se është e tij, një nga fytyrat që ajo nuk mund të mbajë në mend.
“Ibush Kllokoqi ishte pjesë e shërbimeve sekrete jugosllave”, tha ai, duke shpjeguar pse Kllokoqi ishte shënjestër për të dhe dy bashkëpunëtorët e tij.

Kur flisnim për vrasjen, Bllaca kishte prirje për të folur në pasiv. “Ai u vra në Prishtinë, në pragun e shtëpisë së tij. Me një armë “Skorpion” me ngulfatës zëri. Ishte mbrëmje, në terr. Gjashtë deri në 11 plumba. Ishte goditur në anën e majtë të trupit. Ai u vra para gruas së tij. Ne ishim tre vetë. Detyra jonë e parë ishte ta nxirrim nga shtëpia e tij. Personi në të djathtë kishte për detyrë të fliste me të”.

Kur u pyetëm se cili prej tyre kishte shtënë në të vërtetë në Kllokoqin, Bllaca, tha: “Isha unë”.
Bllaca iu kishte thënë prokurorëve të EULEX-it, pasi kishte deklaruar publikisht dhe për “GlobalPost”, se skuadra e tij,  gjithashtu, u përpoq të vriste dy anëtarë të shquar të parisë shqiptare të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i cili ishte rivali kryesor i UÇK-së.

Adem Salihaj
(Matt McAllester/GlobalPost)

Në një intervistë, njëri prej tyre, Adem Salihaj, një ish-zv/kryeministër i Kosovës, tha se atij i është dhënë një informacion nga një burim miqësor në SHIK, se burra të tjerë nga SHIK-u do të përpiqen për të vrarë atë. Prandaj, ai duke shkuar në shtëpi më 12 qershor 2000, në qytetin e Ferizajt, rreth 40 minuta jashtë Prishtinës, ai ishte i armatosur.

“Unë kisha një pistoletë me vete”, tha ai “që e mbaja në dorë.”
Duke u vozitur drejt shtëpisë se tij, një makinë u afrua. Një nga burrat në makinë kishte drejtuar në të nga makina pistoletën me ngulfatës zëri”, tha ai. “Unë ndalova”, tha ai, ”ndaluan edhe ata”.

Salihaj dhe personi tjetër i armatosur dolën nga makinat e tyre dhe i drejtuan armët njëri-tjetrit. “Ai nuk mund të gjuante”, tha Salihaj. “Mendoj se as arma ime nuk ishte ngrehur për të qëlluar. Ne ishim vetëm dy njerëz që kishim drejtuar armët në njëri-tjetrin”.
Personi që do të bëhej vrasës, u kthye në makinën e tij dhe u largua me shpejtësi nga Salihaj. Salihaj ngrehu armën dhe qëlloi në makinë. Ai qëlloi edhe dy herë të tjera.

Një makinë tjetër ishte në pritje afër shtëpisë së tij – por ajo u largua. “Nazim Bllaca tha se ai ishte në atë makinë”, tha Salihaj.
Salihaj është i bindur se ai e di se kush u përpoq për ta vrarë.
“Ishte SHIK-u”, tha ai. “Askush nuk bëri vrasje politike më shumë se SHIK-u. Në atë kohë unë isha i kërcënuar gjatë gjithë kohës nga PDK-ja”.
Ai shtoi: “Unë mendoj se, në fund të fundit, ishte shefi i SHIK-ut që e bëri këtë”, tha ai. “Kadri Veseli. Por, vrasjet nuk do të kishin ndodhur pa urdhër të udhëheqësit politik”.

 

I pyetur nëse ai mendonte për Thaçin, Salihaj ka thënë: “Ato nuk do të mund të bëheshin pa miratimin politik të Hashim Thaçit… I vetmi mekanizëm të cilit SHIK-u i përgjigjej ishte  PDK-ja, kështu që përgjegjës i drejtpërdrejtë është HashimThaçi”.

 

“SHIK”, tha Salihaj, “ende ekziston”.

 

Agim Veliu
(Jetmir Izidri/GlobalPost)

Rreth tri javë pasi që Bllaca dhe shokët e tij tha se u përpoqën ta vrasin Salihajn, ata u zhvendosën drejt një shënjestre tjetër, një zyrtar tjetër të LDK-së, të quajtur Agim Veliu, i cili tani është kryetar i Komunës së Podujevës, një qytet, gjysmë ore në dalje të Prishtinës.

Këtë herë, vrasësit e kryen  punën më mirë, duke zbrazur një breshëri plumbash drejt makinës së tij, deri sa ai kthehej në shtëpi në mbrëmjen e 1 Korriku 2000, rreth orës 07:00 të mbrëmjes.

I ulur në zyrën e tij, Veliu, 50, tregoi fotografitë e makinës së tij, e cili kishte disa shenja te vrimave nga plumbat. “Unë isha lënduar me tre plumba”, tha ai.

“SHIK-u, natyrisht”, tha ai, kur u pyet nëse ai kishte ndonjë dyshim se kush ishte përpjekur për ta vrarë atë. “Natyrisht se ishte SHIK-u. Kjo ishte mënyra e tyre për të eliminuar njerëzit në rrugën e tyre drejt pushtetit”.
Ai i përmendi Veselin dhe Thaçin, si persona në krye të SHIK-ut.
“Unë mendoj se askush që është në lidhje me SHIK-un nuk e meriton të jetë në krye të qeverisë, duke udhëhequr popullin”, tha Veliu, “dhe askush që është i ndërlidhur me SHIK-un, nuk e meriton mbështetjen amerikane”.

Veliu tha se dashuria që shumica e kosovarëve kanë për Shtetet e Bashkuara ka filluar të zbehet. “Unë kam qenë në shumë fshatra dhe të gjithë e vlerësojnë shumë SHBA-në, por tani shoh se besimi ka humbur, për shkak se SHBA-të i mbështesin këta njerëz të cilët janë të përfshirë në krimin e organizuar”.

Jovo Martinoviç ka kontribuar në këtë storie.
(Një pjesë e financimit të “GlobalPost” për raportimin e të drejtave të njeriut në storiet si kjo është siguruar nga një fond i “Fondacioni Family Galloway”.)

Pages: 1 2 3