Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 08:57

Në vitin 1999, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO luftuan kundër “pastrimit etnik në Kosovë nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë. Trupat tokësore, të përbëra nga një grup luftëtarësh kosovarë, të njohur me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), u bënë aleat me Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe NATO-n, në luftë kundër forcave jugosllave, të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi. Përkrahja ndërkombëtare për UÇK-në në kampanjën që zgjati gati tre muaj ishte shumë e fortë. Lufta mori formën e një lufte për të drejtat e njeriut dhe rregull ndërkombëtar.

Në fund të luftimeve, më 10 qershor të vitit 1999, presidenti i atëhershëm i SHBA-ve, Bill Clinton, në përmbylljen presidenciale të njollosur me pasivitetin amerikan përgjatë vrasjeve në Bosnjë dhe Ruandë, me krenari deklaroi: “Për shkak të vendosmërisë sonë, shekulli XX po përfundon jo me indinjatë të pafuqishme, por me shpresë të pohimit të dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut për shekullin XXI . Ne bëmë gjënë e duhur në Kosovë. Ne e bëmë atë në mënyrë të drejtë. Dhe ne do ta përfundojmë punën”. Njëzet vjet më vonë, vetëm disa do të argumentojnë se lufta nuk ishte e justifikuar. Por, udhëheqësit e UÇK-së, të mbështetur nga SHBA-të, të cilët u zgjodhën të udhëheqin Kosovën, tani janë duke u hetuar për veprime të krimit të organizuar, me akuza për vrasje, trafikim të femrave, narkotikëve e, madje, edhe të organeve njerëzore. Dhe ja se si hetimet e “GlobalPost” zbuluan se, zyrtarët e Amerikës dhe të NATO-s, i kishin dëshmitë për akuzat kriminale gjatë gjithë kohës.

Sot, Thaçi është kryeministër i Kosovës. Në fakt, ai rishtazi është rizgjedhur për mandatin e dytë.

Përkundër asaj që zyrtarët e SHBA-së dinin rreth akuzave të detajuara kundër Thaqit dhe shumë ish-bashkëpunëtorëve të tij në UÇK, ai mbeti aleat i vlefshëm e administratës pasuese të SHBA-së. Nuk dihet se cilët zyrtarë të SHBA-së i kanë parë raportet. Por, një diplomat i NATO-d tha se është e njohur se Thaçi është i dyshuar për aktivitete kriminale: “Kurdo që e shikoja në konferenca, ishte si “i dyshuar për krime të organizuara’”.

Dhe i pyetur nëse kishte dëgjuar për akuzat kundër Thaçit dhe të tjerëve përgjatë viteve, Daniel Serwer, një ish-diplomat i lartë amerikan në Ballkan dhe tani një anëtar i lartë në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike në Shkollën Xhon Hopkins për Studime të Avancuara Ndërkombëtare, tha: “Absolutisht. Ishte një pretendim i zakonshëm”.

Ish-Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright publikisht përqafoi Thaçin. Ish-Presidenti George W. Bush e priti atë në Zyrën Ovale. Zëvendëspresidenti Joseph Biden, po ashtu, e përshëndeti atë në Shtëpinë e Bardhë, në korrik. Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, e vizitoi atë në Kosovë rishtazi.

“Dua ta dini, z. kryeminister”, i tha Klinton Thaçit, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, më 13 tetor, vitin e kaluar, “ashtu siç kemi qenë me ju në rrugën e vështirë drejt pavarësisë, ashtu edhe do të mbesim me ju. Ne jemi partnerët tuaj dhe ju jeni miqtë tanë, dhe ne jemi shumë të përkushtuar për ardhmërinë tuaj”.

Serwer tha se Clinton “ me siguri kishte dëgjuar për pretendimet kundër tyre… Ne të gjithë i dëgjuam”

Kosova, një demokraci e re, të cilën Shtet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja e ndihmuan në çlirimin e saj dhe pastaj e krijuan në luftë globale popullore, e cila pjesërisht i ishte përshtatur SHBA-së dhe aleatëve të saj, si një lufte e intervenimit humanitar, tani është paralizuar nga korrupsioni dhe frikësimi. Thaçi dhe shumë nga shokët e tij, liderë të guerilës shqiptare, të cilët ishin aleatët kyç të SHBA–së dhe NATO-s në luftën e vitit 1999, kanë mbetur në fuqi dhe janë duke u përballur me akuza të shumta penale.

Në një vend, ekzistenca e të cilit ishte nxitur nga shqetësimi i Perëndimit për të drejtat e njeriut, shumë qytetarë frikësohen të kritikojnë kryeministrin dhe aleatët e tij, të cilët akuzoheshin për shkelje të të drejtave të njeriut.

Bazuar në raportimet tremujore, duke përfshirë dhjetëra intervista me politikanë, ish-anëtarë të UÇK-së, diplomatë, ish-ushtarë të NATO-s, analistë politikë dhe zyrtarë, “GlobalPost” ka gjetur se shqetësimet për kriminalitetin në mesin e partisë politike në pushtet të Kosovës, kryesisht ishin injoruar nga Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Kombet e Bashkuara në 11 vjetët e kaluara. Në disa raste zyrtarët e SHBA-së dhe OKB-së, parandaluan hetimet kriminalistike të personaliteteve të larta të UÇK-së. Kjo, sipas shumë njerëzve të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Kosovës, ishte për shkak se SHBA-ja, NATO-ja dhe Kombet e Bashkuara, besonin se ruajtja e paqes në Kosovë midis shumicës etnike shqiptare dhe popullatës me pakicë serbe — dhe vetë Serbisë — ishte prioritet që tejkalonte të gjitha shqetësimet tjera, përfshirë këtu edhe akuzat për abuzimin e tmerrshëm me të drejtat e njeriut.

Në të njëjtën kohë, ushtarët e UÇK-së, ishin shpallur si heronj të Kosovës dhe liderët e saj dolën nga lufta me popullaritet të pashembullt politik dhe pushtet, gjë që kufizonte mundësitë e SHBA-së dhe shteteve të tjera të NATO-s në gjetjen e partnerëve efektivë në Kosovë. “Është shumë lehtë të bëhesh më i shenjtë se ti, por në fund në vende të tilla do të takosh njerëz të cilët nuk janë të mirë,” tha diplomati i NATO-së. “Po të ishin njerëz të mirë, atëherë me siguri nuk do të ishin në pushtet, ose ti nuk do të kishe problem me shtetin në rend të parë. Ky është çmimi i biznesit”.

Thaçi nuk ka qenë i akuzuar për çështje penale, por faktet për pretendimet në rritje ndaj tij tregojnë se zyrtaret e SHBA-së dhe NATO-s e mbështetën me vetëdije atë dhe udhëheqësit tjerë të Kosovës, të cilët supozohet se ishin të përfshirë qëllimisht në krime serioze, që nga fillimi i konfliktit në Kosovë.

“Amerikanët dhe ata që ishin në krye, kanë pasur qasje në këtë dhe dokumente të tjera”, tha një diplomat perëndimor, i njohur me regjionin, duke iu referuar raportit të shërbimit të fshehtë që është shënuar në çdo faqe si “për shikim” të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s. Katër burimet e tjera diplomatike, ushtarake dhe të zbulimit, konfirmuan se dokumentet janë parë nga zyrtarët amerikanë.

Duke iu referuar raportit të vitit 2000, një ish-oficer i shërbimit të fshehtë të NATO-s në Kosovë, i cili kishte qasje në një rrjet të gjerë të informacionit në lidhje me krimin e organizuar, tha se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të NATO-s “nuk bënë asgjë pas publikimit të tij, gjë e cila më bëri të zhgënjyer dhe të demoralizuar”.

Florin Krasniqi, një biznesmen në Brooklyn, i cili mblodhi shuma të mëdha parash për UÇK-në dhe dërgoi armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në UÇK, tha se ai personalisht iu ishte ankuar zyrtareve  të lartë të Departamentit të Shtetit për korrupsionin dhe krimin në nivele të larta të qeverisjes në Kosovë, por ai tha se ankesa e tij ishte hedhur poshtë në mënyrë rutinore.

“Mund të jesh i korruptuar sa të duash”, tha Krasniqi, “por përderisa e mbanë stabilitetin ti je mik.”

Krasniqi, i cili rishtazi është zgjedhur në Parlamentin e Kosovës, e përshkroi ish-shokun e tij të UÇK si “kreu i mafisë këtu.”

Thaçi është “telegjenik”, figurë komanduese, i cili flet kënaqshëm anglisht. Për të parën herë është bërë i afërt me zyrtarët amerikanë gjatë negociatave paqësore në Francë, në mars të vitit 1999, para shpërthimit të luftës.

 

“Unë nuk mendoj se ka dalje nga fakti që këto akuza kanë qenë rreth e rrotull për një kohë të gjatë dhe në mënyrë që të qetësohen, duhet të bëhet një hetim serioz“, tha Serwer. Thaçi, të cilin Serwer e njeh, “do të dëshironte që thjesht të zhduken, por unë nuk shoh se si do të zhduken.

Disa nga dyshimet e gjata rreth Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, u sollën në fokus dhe publik në dhjetor, kur një senator zviceran me emrin Dick Marty ka publikuar një raport nën kujdesin e Këshillit të Evropës, një organizatë e respektuar për të drejtat e njeriut, duke e akuzuar Thaçin dhe komandantët e shquar të UÇK-së, si të përfshirë në krime të shumta, duke përfshirë trafikimin e organeve njerëzore, nga njerëz të cilët dyshohet se u vranë për këtë qëllim.

Pastaj, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit PJ Crowley është përgjigjur me lëshimin e raportit në dhjetor, duke thënë se “çdo dëshmi dhe burimet e cituara në këtë raport, duhet të ndahen me autoritetet kompetente për të kryer një hetim të plotë dhe të duhur”.

Por, përtej kësaj, zyrtarët e administratës nuk janë të gatshëm për të diskutuar se pse qeveritë e njëpasnjëshme amerikane e kanë mbështetur Thaçin, edhe pse çdo administratë që nga ajo e Bill Clintonit, ka pasur qasje ndaj akuzave të detajuara të lidhjeve të dyshuara të Thaçit me krimin e organizuar.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christoffer Dell, refuzoi kërkesat e shumta për një intervistë. Një zëdhënëse ra dakord të pranojë pyetje për një përgjigje të mundshme nga z. Dell, por ai nuk pranoi të përgjigjet në cilëndo prej tyre. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit, duke përfshirë edhe ambasadorin e mëparshëm, dhe të tanishëm, zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit, Tina Kaidanow, gjithashtu nuk pranoi të komentojë. Zyrtarët tjerë dhe ish-zyrtarët nuk pranuan të komentojnë, duke përfshirë Sekretaren e Shtetit Clinton, ish-Sekretaren e Shtetit Allbright dhe ish zëdhënësin e Albright, Jamies Rubin.

Zëdhënësi Thaçit, gjithashtu, nuk pranoi kërkesat e shumta për një intervistë, duke thënë se Thaçi ishte shumë i zënë. Thaçi, gjithashtu, nuk u përgjigj në pyetjet me shkrim. Thaçi është kërcënuar se do ta padisë Martyn lidhur me raportin. Thaçi e ka quajtur raportin “skandaloz” dhe ka thënë se qëllimi i tij ishte “të zhvlerësojnë të dyjat, UÇK-në dhe pavarësinë e Kosovës”.

Pages: 1 2 3