Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 14:35

Prishtinë – Policia e Kosovës ka dërguar një dosje penale në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër ish-zyrtarëve të lartë të Bankës Qendrore të Kosovës. Policia dyshon se Hashim Rexhepi, Ibish Mazreku, Ajri Begu, David Weatherman, Tom Torulla, Michel Svetchine, Stefan Kolle dhe Hilmi Hana, kanë kryer shtatë vepra penale, përfshirë krim të organizuar.

Kopjen origjinale të kallëzimit penal mund a lexoni këtu.

Sipas departamentit kundër krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, grupi i ish-zyrtarëve të vendit dhe atyre ndërkombëtarë të UNMIK-ut, nga viti 2002 deri në vitin 2007 kanë kryer vepra penale të detyrimit, kanosjes, kontraktim i fitimit joproporcional, shpërdorim i detyrës zyrtare, veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, shpërlaje parash dhe krim të organizuar.

Në një kallëzim penal të cilin e ka portali Lajmeshqip.com, Drejtoria kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit e Policisë së Kosovës vlerëson se të dyshuarit, duke qëndruar në pozita udhëheqëse në ish-Bankën e Pagesave të Kosovës, tash Banka Qendrore, në vite dhe kohë të caktuara, prej vitit 2002 e deri me 2007, dhe duke u bazuar në përgjegjësitë e tyre, nuk kanë vepruar konform rregullave dhe ligjeve të BPK-së për parandalimin e keqpërdorimeve si dhe në shumë raste kanë qenë edhe vetë pjesë e këtyre keqpërdorimeve, duke vepruar si një grup i organizuar kriminal për përfitime materiale.

{fotogaleria}

 

{/fotogaleria}

Ata dyshohen se kanë bërë keqpërdorime me Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve te Kosovës për humbjen e policave kufitare si dhe keqpërdorime të tjera në lidhje me këtë shoqatë, si punësimin e stafit, shpenzimet e fryra, shkelje e procedurave të tenderimit etj.

Sipas kallëzimit, gjatë vitit 2002 janë konstatuar keqpërdorime të gjashtë mijë deri në tetë mijë polica të sigurimeve kufitare. Policia pretendon se ka siguruar prova se Shoqata e Kompanive të Sigurimeve (IAK) i ka mbajtur 40% të mjeteve për pagesën e dëmeve për të cilat kompanitë e sigurimeve paguajnë kamatë ATK-së.

“Për këto keqpërdorime në këtë periudhë kanë qenë përgjegjës menaxhmenti i BPK-se në krye me Ajri Begun, kryetar i Bordit, David Weatherman, zëvendësdrejtor i menaxhimit për Financa në BPK, Tom Turulla, drejtor i sigurimeve në BPK, Stefan Kolle drejtor i IAK-se dhe Hilmi Hana, drejtor financiar i Fondit të Garancisë”, thuhet në kallëzim.

Këto keqpërdorime policia i ka zbuluar pas themelimit të një komisioni në krye me Berat Begun përfaqësues i BPK si dhe dy përfaqësues të kompanisë së sigurimeve ”Kosova e re”.

Ky komision ka dalë me konstatim se libri i evidencës rigoroze të policave të sigurimit nuk është udhëhequr dhe nuk është mbajtur me rregull dhe në mënyrë të duhur, por në disa copa letrash. Po ashtu, është paraqitur bllok evidenca e ngarkesave me polica kufitare të çdo pike kufitare. Shënimet mbi prerjet e policave kufitare, si dhe mungesën e 9,268 copë policave kufitare.

Vërejtja e grupit të auditorëve në terren në punën mbi konstatimin e kopjeve të policave, ka parë si të ngjashme me origjinalet, ku të gjitha faqet kanë qenë pa numra, gjë që ka bërë të mundur manipulimet e ndryshme.

Ndonëse ky raport ka qenë i bërë nga komisioni i BQK-së, ai nuk është publikuar, por është mbajtur si konfidencial, duke e ditur se vlera e një police është shitur nga 150 euro deri 1500 euro, që do të thotë se dëmi i shkaktuar kap vlerën nga 1,390,200 euro deri 13,902,000 euro.

“Të dyshuarit Ajri Begu, kryetar i Bordit në BPK, David Weatherman, zëvendësdrejtor i menaxhimit për Financa në BPK, Tom Turulla, drejtor i Sigurimeve në BPK, Stefan Kolle, drejtor i IAK-se dhe Hilmi Hana, drejtor financiar i Fondit të Garancisë, kanë kryer në bashkëpunim me veprim apo mosveprim veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare dhe krim të organizuar duke i sjellë vetes apo personave të tjerë përfitime të paligjshme”.

Policia beson se Hashim Rexhepi është bashkëpronar me Hashmet Kurumin, pronar i Kompanisë së sigurimeve “Kosova e re”, rast i ndërlidhur me Casinot. Sipas kallëzimit dyshohet se nga Casinot në kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re” janë shpërlarë 500,000 euro. Këto mjete janë deponuar në Bankën e Re të Kosovës. Nga certifikata e regjistrimit të kompanisë “Kosova e Re” shihet se pronar i vetëm i kësaj kompanie është Hashmet Biidi Kurum.

Në bazë të deklaratës së dëshmitarit Visar Rrustemi, drejtor i kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, kah fundi i vitit 2007 është bërë një takim në Shkup, në mes të Hashmet Kurumit si përfaqësues i “Kosovës së Re” dhe Hashim Rexhepit si përfaqësues i Bankës Qendrore. Dëshmitari ka qenë prezent në takim. Aty është diskutuar rreth zgjedhjes së drejtorit të kompanisë “Kosova e Re”, pas largimit të drejtorit të atëhershëm Halit Shabani, si dhe janë diskutuar qëllimet e Hashmet Bedii Kurum për kompaninë e sigurimeve Kosova e Re.

“Sa i përket transferimit të parave nga ‘King Casino’ në ‘Kosova e Re’ kemi transaksione me datë 16.01.2006 në vlerë prej 100,000 euro, më 17.03.2006 në vlerë prej 200,000 euro”, thuhet në kallëzim penal.

Nga raporti i AQBK i datës 15 qershor 2007 është vërejtur përputhja e transfereve të bëra në KS “Kosova e re” me datë 17.01.2006 si dhe me datën 20.03.2006 në emër të depozitimit për rritjen e kapitalit themelor në emër të Hashmet Kurumit e që, në fakt, janë para të “King Casinos”, të pa deklaruara në ATK si qarkullim ditor.

Sipas policisë për këto transfere ka qenë në dijeni Hashim Rexhepi, për shkak se në vitin 2006, kur janë bërë këto bartje parash, ka qenë në pozitën e zv.drejtorit të përgjithshëm, dhe Michel Svetchine, i cili ka qenë në pozitën e Drejtorit Menaxhues të BPK-së. Me këto veprime policia beson se është bërë pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. Me këto veprime Hashim Rexhepi dhe Michel Svetchine dyshohen se kanë kryer vepra penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe krim të organizuar.

Drejtimi i hetimeve është drejtuar në sigurimin e provave mbi dyshimin e bazuar se paratë janë pastruar përmes firmës “CREA”, pronë e djalit të Hashim Rexhepit, Granit Rexhepi, i cili është drejtor i bordit drejtues të kësaj kompanie dhe pronar i 35% të aksioneve të kësaj firme. I dyshuari Hashim Rexhepi në emër të shërbimeve dhe përmes kësaj firme ka bërë keqpërdorimin e Shoqatës së kompanive të sigurimeve në vlerë prej 60,000 euro, në emër të këtyre shërbimeve.

“Nga hetimet paraprake kemi vërtetuar se ekziston vendimi për blerjen e një softueri për automatizimin e proceseve të administrimit në AQBK, respektivisht në kompanitë e sigurimit dhe IAK, i nënshkruar nga Kryetari i Bordit të drejtorëve të IAK, Fatmir Gashi. Ndërsa është bërë transferimi i shumës 45,000 euro në konton e kompanisë CREA, të nënshkruara nga Arben Mikeli, Vetima Vuçitërna dhe Fatmir Gashi”, thuhet në kallëzim.

Në bazë të kërkesës drejtuar Administratës Tatimore mbi të dhënat e kompanisë “CREA”, deklarimet, obligimet tatimore si dhe pronarët e mundshëm të kësaj kompanie, janë marrë këto rezultate: Pronar të kompanisë CREA-KO Sh.p.k janë: Halil Mazreku (vëllai i Ibish Mazrekut, drejtor i drejtoratit për mbikëqyrje të kompanive të sigurimeve), Avni Tërnava dhe Granit Rexhepi (djali i Hashim Rexhepit, drejtor i BPK-së).

Pra, dyshimi i bazuar është vërtetuar dhe mund të themi se gjatë vitit 2007 Hashim Rexhepi, qenë Zv/drejtor i përgjithshëm i BQK si dhe Ibish Mazreku Drejtor i sektorit për mbikëqyrje të kompanive të sigurimeve pranë BQK-së, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke i bërë të mundur kompanisë “CREA” shitjen e softuerit IAK, në vlerë prej 45,000 euro, gjë që paraqet konflikt direkt të interesit.

Sipas policisë, edhe pse në raportet e vitit 2005 dhe 2006 të BPK-së, para bordit dhe para kuvendit të aksionarëve është pranuar raporti mbi auditimin si pozitiv për bankën, në shkurt të vitit 2006 është bërë një riinspektim nga inspektorët e BPK-së, nën mbikëqyrjen e një eksperti të FMN-së, të cilët dalin me një raport krejt të ndryshëm nga ai i pari.

Ky raport paraqitet në muajin korrik të vitit 2006, me një urdhëresë administrative të BPK-së, ku bëhet suspendimi i drejtorit, menaxherit të departamentit të kredive si dhe një listë e aksionarëve që kryesisht kanë qenë anëtarë të konzorciumit për rindërtim.

Në këtë kohë, drejtorin e bordit Nazmi Mustafa, njëherë e largojnë dhe menjëherë pas kësaj bëhet emërimi si kryetar i bordit, në mënyrë që të bëjë punën rehabilituese për lëshimet që janë bërë nga menaxhmenti i mëparshëm si dhe për paraqitjen e planit për rimëkëmbje.

Në kallëzim sqarohet se pas kësaj nga ana e BPK-së lëshohet një urdhër ndalesë për kredi mbi 10,000 euro, e cila ka pasur si qëllim rëndimin e portfolios së kredive, për shkak të gjendjes së krijuar nga kreditë e liga dhe se kreditë mbi 10,000 euro, të dhëna paraprakisht, është dashur të aprovohen nga BPK-ja. Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh gjendjen financiare (likuiditetin) të BPB-së, Hashim Rexhepi merr kredi për vete në këtë kohë dhe lejon dhënien e donacionit për KB “Prishtina”, ku ai vetë është drejtor i bordit të klubit.

Në lidhje me dyshimet për me keqpërdorimet si me menaxhimin e IAK, shpenzimet, punësimin e punëtorëve pa konkurs, fryrjet fiktive të administratës etj., nga veprimet hetimore që janë ndërmarrë, policia ka konstatuar se nga 105 punëtorë sa numëron IAK, 28 persona janë pranuar pa konkurs, duke filluar nga Hilmi Hana, i cili është emëruar në këtë post, i njëjti është emëruar edhe likuidator i KS “Kosova” dhe likuidator i Bankës Kreditore (që në bazë të rregullores 2001/25, neni 52.4, nuk ka mundur t’i mbajë dy apo më tepër vende të punës, e përfitimi ka qenë mbi 10 mijë euro). Pastaj, si shkelje është konstatuar emërimi i Sabrije Ahmetit si juriste e IAK-së, e cila kishte punuar deri në atë kohë si inspektore për kontroll të kompanive të sigurimeve pranë BPK-së.

Emërimin tjetër të parregullt, e kishte bërë kur e kishte caktuar Ismet Jashanicën zëvendës të Hilmi Hanës, meqë ai veç ishte diagnostikuar me kancer, e pas vdekjes së tij e emëron drejtor të Fondit të garancisë. Këtu vlen të përmendet se ky i fundit në disa dokumente zyrtare figuron edhe si drejtor i IAK/CIU-së, gjë që paraqet shkelje të rregullores, pasi që juridikisht këto dy njësi janë të ndara si subjekte juridike. Veprimet e ndërmarra nga i dyshuari Hashim Rexhepi në emërimin e të lartëcekurve në poste të caktuara (pa konkurs) paraqesin keqpërdorim direkt dhe konflikt interesi.

Në listën prej 28 personave të pranuar pa konkurs, gjenden edhe Haki dhe Agron Nuza (vëllezërit e gruas së Hashim Rexhepit). Haki Nuza, drejtor i Financave të CIU-së dhe likuidator i KS “Kosova”, njëherë është emëruar ndihmës i Hilmi Hanës e pastaj likuidator i vetëm, ku edhe njëherë shkelet rregullorja 2001/25 neni 52.4). Emërime të parregullta janë edhe Sami Mazreku dhe Avdyl Mazreku (vëllai i Ibish Mazrekut dhe kushëri i tij), Venhar Hana (djali i Hilmi Hanës, i cili edhe pse është refuzuar nga një anëtar i bordit, prapë është pranuar në punë).