Lajme Shqip e Mërkurë, 04 Maj 2011 16:49

Islamabad – Shamraz Kan, dëshmitari i vetëm i operacionit amerikan gjatë të cilit u vra Osama bin Laden, u zhduk në mënyrë misterioze, lajmëroi The News-i pakistanez.

Bujku i varfër 50-vjeçar dhe fqinji i parë i vilës në të cilën me vite jetonte dhe fshihej Bin Laden, u zhduk pak kohë pas aksionit të “fokave” amerikane.

Familja, zhdukjen e tij, e ka vërejtur të hënën në orën 5 të mëngjesit. “The News” shkruan se Kan ka qenë në afërsi të shtëpisë së Bin Ladenit dhe se e ka ndjekur tërë operacionin e forcave speciale amerikane.

Banorët lokal janë të frikësuar për shkak të zhdukjes së Kanit dhe refuzojnë të flasin me mediumet, të cilat tërë javën e kanë zaoptuar rajonin rreth vendstrehimit pakistanez të Bin Ladenit.

Djali i Kanit, Kasim, për mediumet lokale deklaroi se me babin e tij nuk është dëgjuar që nga e hëna. Kur për herë të fundit është dëgjuar me të, babai i tij përmes telefonit celular i ka thënë se po e çojnë disa njerëz të panjohur me veshje civile. Gjithashtu, ai i ka thënë që të mos brengoset dhe se do të jetë gjithçka në rregull. Ai nuk tregoi se përse është marrë nga “njerëz të panjohur me veshje civile”.

Familja e Kanit, gjithashtu, është e frikësuar që zhdukjen e tij madje as nuk e kanë paraqitur në polici.

Babai i të zhdukurit Shamraz Kan, Muhamed Kasim Kan, ndërkaq, mendon se djalin e tij e ka marrë ushtria pakistaneze.