Lajme Shqip e Mërkurë, 30 Maj 2012 17:50

Londër – Gjykata e Apelit në Britaninë e Madhe vendosi ekstradimin e themeluesit të Wikileaks, Xhulian Asanzh drejt Suedisë për t’u përballur me akuzat e ngritura kundër tij për “ngacmime seksuale”.

I njëjti vendim ishte dhënë nga një gjykatë më e ulët lë Londër, por Assange vendosi apelimin e saj, duke i cilësuar akuzat e ngritura kundër tij si “sajesë e lindur pas publikimit të kabllogrameve të diplomacisë amerikane nga Wikileaks”.

Në fakt, publikimi i kabllogrameve me korrespondencën sekrete të diplomatëve amerikanë në mbarë botën, shkaktoi tërmet në mbarë diplomacinë botërore. Komentet dhe vlerësimet “pikante” të Departamentit të Shtetit mbi disa liderë botërorë, si Putin apo ish-kryeministir italian, Silvio Berluskoni mbushën faqet e para të mediave globale, ndërsa Uashingtoni vendosi të mos komentojë daljen e kabllogrameve.

Aktualisht Asanzh ndodhet në arrest shtëpiak në Londër dhe brenda pak ditësh pritet nisja e tij për në Suedi, ku do të përballet me akuzat e ngritura kundër tij. Nëse shpallet fajtor, Asanzh rrezikon deri në 3 vite burg. (LajmeShqip.com)