Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 17:04

Shkup – “Qeveria e Maqedonisë i shfrytëzon organet shtetërore që të imponojë lojalitet dhe t’i heshtë mospajtimet”. Ky është titulli i njërit nga dokumentet më konfidenciale të Ambasadës Amerikane në Shkup, të shpallura nga ‘Wikileaks’, të cilat i referohen gjendjes në Maqedoni.

“Duket se kryeministri Nikolla Gruevski dhe rrethi i tij i brendshëm nga VMRO-DPMNE-ja i shfrytëzon mjetet gjyqësore dhe policore që të imponojnë disiplinë partiake dhe t’i heshtë mospajtimet, gjë që kontribuon në rritjen e frikës në përgjithësi”, shkruan Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker dhe shpjegon se Qeveria akuzon për keqpërdorime të mundshme të shërbimeve zyrtare kundër anëtarëve të elitës politike në Maqedoni.

Në dokumentin të cilin e shpalli ‘Wikiliks’, detajisht përmendet rasti i arrestimit të Gjorgji Trenkovski, ish-drejtori i Fondit për Shëndetësi, ku, siç thuhet në dokument, ka reputacion si njëri nga zyrtarët më të “pastër” në Qeverinë e Maqedonisë, i cili ka dhënë dorëheqje për shkaqe principiele.

Trenkovski i ka thënë ambasadorit se para arrestimit të tij shefi i kabinetit të kryeministrit, Martin Protogjer, i është kërcënuar me aksion ligjor. Protogjeri amerikanëve këtë ua mohoi. Megjithatë, ambasadori ishte i informuar se arrestimi ishte motivuar politikisht dhe i organizuar nga kryeministri dhe se Trenkovski është i pafajshëm.

Nga paraburgimi i cili në Maqedoni, siç theksohet në dokument, është metodë për krijimin e frikës dhe për shkatërrimin e njerëzve, Trenkovski u lirua pas një mesazhi tekstual nga Ambasada Amerikane deri tek Protogjeri dhe prej bisedës telefonike. Në dokument përmendet edhe rasti i akuzave kundër ish ministrit Fatmir Besimi dhe Nikolla Popovskit, nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së nga viti 2002 deri në vitin 2006.

Në takimin me Rikerin, Besimi ka dëshmuar se rasti i tij është me motive të pastra politike, kundër reputacionit të tij por edhe si presion ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Gruevski, gjithashtu, e përdorë kontrollin e tij mbi gjyqësinë dhe mbi policinë, që ta heshtë edhe opozitën, thuhet në dokument dhe komentohet rasti i Zoran Zaev. Është interesant edhe shënimi shtesë i reaktorit të ueb-sajtit ku janë të publikuara dokumente nga ‘Wikiliks’-i, ku është i fshirë paragrafi nga 16-të reshta, i cili i referohet burimit të ambasadës të SHBA-së, gjykatës i cili nga ana e ministrit për Drejtësi, Mihajllo Manevski, ka qenë i “lutur” të kryhej presion mbi politikanë nga radhët e larta.

Burimi frikësohet nga represioni i Manevskit, i cili është ende në pushtet.

Në presionet nga policia janë ankuar edhe Sllagjana Taseva nga ‘Transparent Zero Korrupsion’, e cila ka qenë e thirrur në shtabin e policisë gjatë natës në “bisedë informative” në lidhje me sjelljen e saj dhe kritikat e drejtuara qeverisë.

Ambasada amerikane dëshmoi për numër në rritje të ankesave për “bisedat informative” gjatë natës në shtabet policore dhe kërcënimet për akuzat e mundshme për korrupsion.

“Në të njëjtën kohë, nuk ka aksion kundër njerëzve të brendshëm të Gruevskit me reputacion të gjerë se janë korruptuar, siç është drejtori për kundër-zbulim, Sasho Mijallkov (gjithashtu edhe kushëri i Gruevskit) dhe ministri për Transport dhe Lidhje, Mile Janasijevski”, notohet në dokumente.

Në një dokument tjetër nga Rikeri, komentohet largimi i Ivica Bocevski nga qeveria e Gruevskit.  Ministra të shqetësuar dhe insajderë të VMRO-së, privatisht e kanë informuar ambasadën për mosmarrëveshjet në parti, mes tjerash edhe në lidhje me akuzat se Sasho Mijallkov ndoshta është i përzier në skandal korrupsioni, i cili lidhet me furnizimet e autobusëve dykatësh nga Kina. Edhe Pero Dimshovski, shtetas amerikan, i punësuar në administratën e Gruveskit, i është ankuar ambasadorit se Protogjer i ka kryer presion pas deklaratës së tij se kryeministri duhet të marrë përgjegjësinë më të madhe për eurointegrimet e Maqedonisë.