Lajme Shqip Thursday, 04 April 2013 10:39

Beograd – (E plotesuar) Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic ka thënë se Serbia ka afat që t’ia japë një përgjigje Baroneshës Catherine Ashton deri të martën e ardhshme derisa vendimin duhet ta marrë brenda 72 apo 96 orëve.

Vucic në një intervistë për RTS ka thënë se Beogradi duhet t’i tregojë Brukselit nëse do t’i pranojë disa gjëra që janë ofruar në bisedime.

“ Do duhej të tregonim nëse mund ti pranojmë disa gjëra ose jo” ka thënë Vucic.

Sipas tij, Serbia aktualisht ndodhet në një situatë dramatike dhe shumë të vështirë.

Ai ka treguar se gjatë bisedimeve ka ofruar dorëheqje pikërisht në momentin, që sipas tij, propozimi është ofruar në formën “merre ose lëre”.

“Nëse e refuzojmë planin, sado i keq të jetë ai, kjo do të thotë mbyllje e dyerve për Serbinë në botë, kjo do të thotë më pak para për buxhetin tonë për ekonominë tonë”

Si në Rambuje, si në Vjenë, si në Bruksel…

Bashkësia Ndërkombëtare do ta identifikojë pa kurrfarë ambiguiteti Serbinë si fajtor të vetëm për dështimin në arritjen e një marrëveshje në Bruksel. Burime diplomatike i kanë thënë Express’it se shteti serb do të përballet me një presion në rritje

Nuk ka asnjë fije të dyshimit se kush është fajtor për dështimin e bisedimeve. Bashkësia ndërkombëtare do ta identifikojë pa hezitim Serbinë si adresa e vetme pse dje në Bruksel përfaqësuesit e Serbisë dhe ata të Kosovës nuk e arritën marrëveshjen.

Kështu i ka thënë Express’it një burim diplomatik i afërt me zhvillimet e fundit në Bruksel.

“Asgjë më shumë nuk do të mund të ndodhte që t’i përngjante Rambujesë, apo Vjenës. Delegacioni serb nuk i kishte marrë seriozisht negociatat, kurse Prishtina ishte e përgatitur”, thotë burimi.

Sipas të njëjtit burim, delegacioni serb nuk e kishte mandatin, e as guximin për të nënshkruar ndonjë marrëveshje.

“Ngjashëm sikur në Rambuje, edhe tash në Bruskel, njeriu përgjegjës gjendej në Beograd. Dacic dhe Vucic detyroheshin të bisedonin me Presidentin Tomisllav Nikolic, i cili ishte kundër marrëveshjes”, thotë burimi, duke bërë krahasime me kohën kur delegacioni serb në Rambuje detyrohej që për secilën cështje të diskutonte me Sllobodan Milloshevicin, i cili ishte në Beograd.

“Beogradi tash do të vizitohet prej përfaqësuesve ndërkombëtar dhe mbi të do të rëndojë përgjegjësia. Serbia, nëse në ndërkohë nuk ndrron mendje, duhet ta harroj datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Duhet ta harrojë secilin hap që ka të bëjë më afrimin me BE nëse edhe më tutje nuk ndrron qëndrim”, ka thënë burimi.

Sipas të njëjtit burim, i cili ka qenë mirë i informuar me zhvillimet në Bruksel, Serbia përpos me problemin me anëtarësim në BE shumë shpejt do të përballët edhe më një problem tjetër: atë financiar.

Serbia do të ketë nevojë imediate për 3 miliardë dollarë për ta mbushur zbrazëtirën buxhetore, e cila po e kërcënon ketë shtet.

“Shteti serb pret që ketë shumë financiare ta marr me anë të një kredie prej Fondit Monetar Ndërkombëtar. Mirëpo, këtu do të has në refuzim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë burimi diplomatik.(LajmeShqip.com)