Lajme Shqip Monday, 29 April 2013 15:10

Beograd – Nënkryetari i parë i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vucic ka deklaruar sot se është i bindur se shumica e qytetarëve të Serbisë do ta pranonin marrrëveshjen për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, po që se dalin në referendum.

Ai ka thënë se qeveria nuk do të pranojë shantazhin e pakicës.

“Presim vendimin përfundimtar të serbëve të Kosovës. Referendumi ka kuptim nëse ata janë të gatshëm ta zbatojnë, në rast se rezultati nuk shkon në favor të tyre”, ka thënë Vucic gjatë një vizite në Zagreb, sic transmeton Evropa e Lirë.

Ai ka riktujtuar se ka ofruar dorëheqje, po që se marrëveshja nuk kalon në referendum.

Beogradi ka paralajmëruar mundësinë e shpalljes së referendumit në lidhje me marrëveshjen e arritur në dialogun me Prishtinën, duke e përfshirë edhe territorin e Kosovës.

Mbajtja e nje referendumi në Kosovë është kundërshtuar nga zyrtarët kosovarë.

Gjilas: Referendumi i panevojshëm

Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, subjekt opozitar, Dragan Gjilas ka thënë se personalisht e kundërshton referendumin mbi marrëveshjen me Kosovën, por se kryesia e PD-së do të vendosë në lidhje me të të martën.

“Qëndrimi im është se referendumi është i panevojshëm sepse ekziston një shumicë e qartë e forcave pro-evropiane dhe deputetëve në parlament dhe duhet shmangur rrezikun nga një referendum i pasuksesshëm dhe nga mosdalja e 50 për qind të votuesve”, ka thënë Gjilas.

Serbia ende nuk ka marrë vendim për referendum, por zyrtarët qeveritarë kanë thënë se mund të organizojnë një të tillë për të pyetur popullin në lidhje me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën të arritur në Bruksel më 19 prill.(G.E/LajmeShqip.com)