Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 11:55

Beograd Beogradi heq dorë nga zgjedhjet lokale në Kosovë, sepse rreziqet e sigurisë për mbajtjen e tyre pa mbështetje të UNMIK-ut dhe me kundërshtim të Prishtinës dhe një pjese të madhe të bashkësisë ndërkombëtare janë shumë të mëdha, shkruan gazeta “Veçernje Novosti”.

Gazeta, duke iu referuar burimeve anonime, thekson se pa mbështetje logjistike nga Misioni i Kombeve të Bashkuara është pamundur të organizohen zgjedhjet në komunat në jug të Ibrit, si dhe ka rrezik për incidente në pjesën veriore.

“Veçernje Novosti” në botimin e sotëm, gjithashtu thekson se sipas vlerësimit të Begradit, këmbëngulja për zgjedhjev lokale do ta rrezikojë prononcimin e qytetarëve të Kosovës për Parlamentin e republikës, për çka fuqitë ndërkombëtare dhanë “dritë të gjelbër”.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq deklaroi se Qeveria është në kontakt me UNMIK-un dhe me EULEKS-in me qëllim që të shqyrtohen të gjitha hollësitë rreth zbatimit të zgjedhjeve parlamentare.

“UNMIK-u ka bërë qartë të ditur se nuk mund të merr pjesë në zgjedhjet lokale. Mbajtja e tyre është në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet, por duhet të merret parasysh edhe specificiteti i situatës në terren dhe të gjitha rrethanat, që nuk janë në dobi tonën, deklaroi Bogdanoviq për “Veçernje Novosti”.

Gazeta thekson se kontinuiteti i autoriteteve lokale në komunat në pjesën veriore të Kosovës, Beogradi do ta sigurojë me administratë të përkohshme. Respektivisht, do të emërohen funksionarë nga ana e Qeverisë së re, në pajtim me Ligjin për pushtet lokal dhe ato do t’i kryejnë funksionet deri në krijim të kushteve për organizim të zgjedhjeve.