|
|
e Shtunë, 17 Dhjetor 2011 14:07 Kajro-Kryeministri i Egjiptit, Kamal al-Ganzouri ka reaguar në lidhje me protestat e fundit në Kajro duke i cilesuar ato si një kundër revolucion.
Al-Ganzouri tha se ata që po marrin pjesë në këto përleshje nuk janë të rinjtë e revolucionit, duke iu referuar revoltës që rrëzoi ish presidentin Hosni Mubarak.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur dhuna vazhdon për të dytën ditë në kryeqytetin e Egjiptit, pas vdekjes së 16 protestuesve.
Ministria e Shëndetësisë e Egjiptit ka bërë të ditur se 16 njerëz janë vrarë dhe mbi 500 janë plagosur gjatë përplasjeve ndërmjet forcave të sigurisë dhe protestuesve, në qendër të Kajros.
Përplasjet filluan mëngjesin e djeshëm, pas shpërndarjes së lajmit se forcat e sigurisë kishin ndaluar dhe rrahur një protestues.
Niveli i dhunës është rritur në Egjipt, pasi më shumë se 40 njerëz u vranë gjatë përleshjeve të muajit të kaluar në Kajro.
Protestuesit po kërkojnë që këshilli ushtarak, i cili është duke e udhëhequr vendin që nga largimi i Hosni Mubarakut, menjëherë t’ia transferojë pushtetin autoriteteve civile.
Dhuna e fundit në Egjipt vjen pas mbajtjes së zgjedhjeve të para, të lira, parlamentare, që nga largimi i Mubarakut. (LajmeShqip.com)