Lajme Shqip Sunday, 28 July 2013 15:09

Kajro – Pas përleshjeve që lanë dhjetëra të vdekur, pirgje mbeturinash mbushin rrugët e Kajros, ndërsa në ajër ndihet akoma era e gazit lotsjellës.

Mbështetësit e presidentit të përmbysur Mohamed Mursi zgjodhën t’i sfidojnë kërcënimet e shtypjes së protestave me dhunë, pavarësisht bilancit të rëndë të jetëve të humbura nga përplasjet e një dite më parë me forcat e sigurise, raporton Top Channel.

Drejtues të Vëllazërisë Muslimane u thanë demonstruesve mbrëmjen e së shtunës se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, më kryesorja ndër të cilat është rivendosja e Mursit në krye të shtetit.

Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për gjakderdhjen e së shtunës, më e rënda që prej përmbysjes së Mursit nga ushtria në 3 korrik. Thirrjet e shefit të ushtrisë, Abdel Fatah Al Sissi që Vëllazëria Muslimane të pajtohet politikisht me ta, tingëllojnë të pasinqerta për mbështetësit e lëvizjes islamike.

Vetëm pak ditë më parë, Al Sissi apeloi për protesta masive kundër atij që e cilësoi terrorizëm, por për shumë egjiptianë të mbledhur në sheshin Tahrir, thirrja ishte sinonim me demonstratat kundër Vëllazërisë Myslimane.

Në kampin e protestuesve pro-Mursit ekziston bindja e thellë se gjenerali i nxiti qëllimisht përkrahësit e tij të sulmonin simpatizantët e presidentit të përmbysur, megjithëse ata ishin të paarmatosur. Që prej rebelimit të shkurtit 2011 që i dha fund sundimit 30-vjeçar të Hosni Mubarakut, Egjipti nuk ka gjetur më qetësi. Njerëzit i rikthehen vazhdimisht tubimeve, por grupet aktiviste tashmë janë përçarë, aleancat janë shpërbërë dhe protestat rivale në pjese të ndryshme të vendit, vetëm gjatë javëve të fundit kanë shkaktuar mbi 100 të vdekur.