Lajme Shqip Thursday, 30 July 2015 14:43

Policia austriake ka ndaluar në aeroportin Schwechat të Vjenës, një grup ushtarësh të armatosur amerikanë që ishin duke shkuar për në Ukrainë, shkruan e përditshmja vjeneze “Kurier”.

Një grup i ushtarëve amerikanë kishin shkaktuar alarm të sigurisë në aeroportin e Vjenës, pasi ishin përpjekur që me armatimin e tyre ushtarak të udhëtojnë për në Ukrainë, duke mos marrë leje të nevojshme për këtë, transmeton lajmi.net.

Pas këtij veprimi, policia austriake është detyruar të intervenojë duke “çarmatosur” njësinë amerikane, kurse zyra e prokurorit të shtetit ka dhënë urdhër të nisin procedurat hetimore për shkelje të ligjeve të materialit të luftës.

Nëntë ushtarë nga Shtetet e Bashkuara ishte nisur nga Uashingtoni për në Ukrainë.

“Pas një ndalese të planifikuar në aeroportin e Vjenës kishte ardhur deri tek një problem për fluturimin e radhës, pasi ushtarët janë detyruar të ndërrojnë biletat dhe ta lëshojnë pjesën e transitit”, ka shpjeguar koloneli Michael Bauer, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Austrisë.

Gjatë një kontrolli rutinorë të sigurisë, në çantat e tyre janë gjetur pushkë automatike të tipit M16 dhe pistoleta.

Ky zbulim kishte shkaktuar alarm në aeroport pasi armët nuk ishin lajmëruar, me ç’rast janë konfiskuar menjëherë, kurse ushtarët janë dërguar në një seancë dëgjimore.

Me këtë rast është njoftuar menjëherë ambasada amerikane, si dhe shërbimi për mbrojtje të kushtetutshmërisë së Austrisë.

Siç është bërë e ditur amerikanët nuk kanë pasur nevojë të pajisen me leje për bartjen e armëve.

“Ministria e mbrojtjes dhe ajo e punëve të jashtme, munden në raste të veçanta të lejojnë qëndrimin apo kalimin transit të ushtarëve të huaj, për shembull gjatë shkuarjes në misione paqësore ose diçka të ngjashme. Amerikën nuk kishin aplikuar për një leje të tillë”, ka deklaruar Bauer.