Lajme Shqip Sunday, 07 April 2013 19:30

Beograd – Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq deklaroi sot se qëndrimi i shtetit lidhur me ofertën e Brukselit për marrëveshje me Kosovën, të cilin e quajti ultimatum,  do të jetë unik, por qeveria në Beograd nuk do ta ketë të lehtë që nesër ta miratojë dhe t’ia komunikojë qytetarëve dhe “atyre me të cilët kemi biseduar”. Pas bisedimeve që i zhvilloi sot me udhëheqjen e Republika Srpska të Bosnjës, Nikoliq deklaroi se Serbia ka hasur në mur dhe se i është vënë kushti që të harrojë kushtetutën dhe ligjet e veta, ndërsa njëkohësisht të respektojë kushtetutën dhe ligjet e nxjerra nga autoritetet kosovare.

Sipas tij, kjo në Bruksel nuk ka qenë ofertë, por ultimatum dhe për të mendojmë në po atë mënyrë. Por, ai theksoi se do të qëndrojë prapa vendimit të qeverisë, si dhe që beson se atë do ta përkrah edhe shumica e partive parlamentare.

Edhe kryeministri Daçiq përsëriti fjalët e Nikoliqit. Ai shtoi se pret që në ditët e ardhshme të shtohen përpjekjet për arritjen e zgjidhjes kompromise sa i përket çështjes së kompetencave të Bashkësisë së komunave serbe në fushën e policisë dhe gjyqësisë.

sipas tij, 9 prilli nuk është Dita D, sepse të mërkurën Catherine Ashton duhet të paraqesë raportin për përmbushjen e kushteve, ndërsa vendimi përfundimtar për negociatat përafruese me BE-në do të merret nga fundi i muajit qershor, duke konstatuar se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet edhe nëse nuk merret data për fillimin negociatave me BE-në. 

Alternativë është që tashti të ndërprejmë gjithçka, kurse pa dy vjetësh të fillojmë nga kjo pozitë, apo mbase edhe ndonjë ofertë edhe më e keqe.

“Nuk bën të vazhdojmë luftërat, betejat e të cilave deri tash të gjitha i kemi humbur, por mbase një mund ta fitojmë. Nuk është porosia që të gjithë duhet të vuajmë dhe që 500 vjet të presim që retë e zeza të largohen nga qielli ynë”, tha ai.(LajmeShqip.com)