Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 10:16

Uashington – SHBA-të ndërtojnë bazë të CIA-s në Gjirin Persik për operacione kundër terroristëve në Jemen duke u përgatitur për mundësinë që në këtë vend të vijë qeveri antiamerikane e cila do të ndalojë forcat amerikane të kërkojnë personat e Al Kaedës.

Për aksionet kundër Al Kaedës në Jemen përgjegjëse është Komanda e përbashkët e operacioneve speciale të SHBA-së, ndërsa CIA u siguron mbështetje për zbulim. Forcat e Komandës nga viti 2009 kanë leje nga Qeveria jemenase të kryejnë operacione të kufizuara ajrore, ndërsa kohë më parë morën edhe miratim për sulme me aeroplan pa pilot ndaj caqeve të Al Kaedës.

Baza e re e CIA-s do të ndërmarrë aksione në rast se Al Kaeda apo ndonjë forcë tjetër kryengritëse antiamerikane të ketë epërsi, sqaron përfaqësuesi amerikan.

Shtëpia e Bardhë tashmë e ka rritur numrin e njerëzve të CIA-s në Jemen në pritje të situatës së këtillë dhe është përshpejtuar afati për përfundimin e punëve ndërtimore prej dy viteve në tetë muaj. Mediat amerikane nuk e publikojnë lokacionin e bazës në kërkesë të autoriteteve.