Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 17:04

Turqia e mbështet pozitën e Iranit për energji bërthamore, deklaroi kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, në takim me presidentin e Iranit Mahmud Ahmadinexhad, thuhet në kkomunikatën e publikuar në faqen e internetit të presidencës iraniane.

“Qeveria dhe populli turk çdoherë në mënyrë të qartë e mbështesin pozitën e Iranit për energji bërthamore dhe do të vazhdojnë fuqishëm me këtë politikë edhe në të ardhmen”, deklaroi Erdogan, i cili është për vizitë dyditore në Teheran.

Ahmadinexhad e përshëndeti pozitën e qartë dhe të sinqertë të Turqisë në lidhje me çështjen bërthamore iraniane, theksohet në sajtin e presidencës iraniane.

Turqia propozoi që të jetë vend pritës në negociatat e ardhshme për çështjen e programit bërthamor iranian midis vendeve nga i ashtuquajturi grupi “pesë plus një” (SHBA, Rusi, Kinë, Francë dhe Britani e Madhe plus Gjermani) dhe Teherani, të cilët pritet të takohen më 13 prill, kumtoi ministri iranian i Punëve të Jashtme, Ali Akbar Salehi.

Irani shikon pozitivisht në zgjedhjen e Turqisë për nikoqir në negociatat me grupin “pesë plus një”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë i Iranit Mohamed Reza Rahimi.

Irani dhe vendet e grupit “pesë plus një” bënë të ditur se janë të gatshëm që t’i ripërtërijnë negociatat për çështjen për programin bërthamor iranian, të cilët janë ndërprerë pas takimit të fundit në Stamboll në janar të vitit 2011.

Në çështjen në lidhje me kërcënimet izraelite për sulm ushtarak ndaj Iranit, Erdogani kategorikisht i hodhi poshtë çfarëdo lloj kërcënimi.