Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 10:27

Tripoli – Televizioni shtetëror i Libisë botoi inçizime në të cilat lideri libian, Moamer Gadafi, tregohet se si mban takim me liderët fisnor. Takimi është mbajtur dje, deri më tani në lokacione të panjohura.

Në inçizime shihet se si Gadafi i pranon liderët fisnor në një dhomë të vogël pa dritare. Gadafi për herë të fundit është treguar nga televizioni më 30 maj.

Në ndërkohë bilanci i të vdekurve në sulmet e djeshme të NATO-s ndaj Tripolit, në të cilat forcat e Aleancës hodhën rreth 60 bomba, u rrit në 31 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë libiane, Musa Ibrahimi.

“NATO-ja zbatoi sulme armiqësore ndaj Tripolit dhe e goditi me mbi 60 bomba. Ka 31 të vdekur dhe dhjetëra të lënduar”, tha Ibrahimi.

Ai shtoi se sulmet janë kryer mbi kompleksin e banuar të Gadafit, në qendrën e qytetit, mbi periferinë lindore Taxhura dhe mbi rrugën ndaj aeroportit nga Tripoli.