Lajme Shqip Wednesday, 04 November 2015 09:55

Vlera e tregtisë së drogave ilegale në Francë për vitin 2010 llogaritet të ketë qenë 2.3 miliardë euro. Këtë treg e ka dominuar kanabisi (1.1 miliard euro) dhe kokaina (902 milionë), tregon një hulumtim i Institutit Kombëtar të Studimeve të Larta për Sigurinë dhe Drejtësinë (INHESJ), i publikuar të martën.

Hulumtimi, i pari në Francë i këtyre përmasave, paraqet vlerën e biznesit të drogave kryesore të paligjshme në Francë, duke u bazuar në një qasje “të bazuar në kërkesë”, kanë shpjeguar David Weinberger nga INHESJ dhe Christian Ben Lakhdar, mësimdhënës hulumtues në universitetin e Lille 2, gjatë një seminari të Misionit ndërministror të luftës kundër drogës në Paris.

Nëpërmjet hulumtimeve shëndetësore dhe të dhënave të drejtësisë dhe të policisë, ata kanë analizuar numrin e përdoruesve, intensitetin e tyre të konsumimit (të rregullt, të përditshëm, etj.), sasinë e konsumuar, mënyrat e furnizimit, çmimin e përafërt dhe pastërtinë e produkteve.

Sipas rezultateve të tyre, mesatarisht 1.1 miliard euro janë shfrytëzuar për trafikimin e kanabisit, ndërsa sasia e trafikuar është ndërmjet 163 dhe 195 tonelata. Ndërsa, vëllimi i përgjithshëm i kanabisit të konsumuar i afrohet 285 tonëve, duke llogaritur dhurimet dhe prodhimin personal (në shtëpi).

Krahasuar me vitin 2005, shuma e pazarit më 2010 është rritur për 34%, kryesisht për shkak të ngritjes së çmimit. Më 2005 vlera e tregtisë ishte 832 milionë. Ndërsa, sa i përket vëllimit ka mbetur afërsisht e njëjtë: 277 tonelata, më 2005, kurse 285 tonelata më 2010).

Shitblerja e kokainës përbën tregun e dytë të drogës (38%) me një shifër biznesi prej 902 milionë euro, për 15 tonelata të konsumuara.

Ky treg është dyfishuar në vëllim (8,3 tonelata më 2005) dhe në vlerë (488 milionë euro më 2005), sepse trafikuesit “po e vërshojnë Evropën, sepse çmimi atje është më i lartë se në SHBA”, shpjegon David Weinberger. Çmimi megjithatë ka rënë në masë të madhe që nga vitet 1990 (nga 150 euro në 65 euro grami), gjë që ka rritur “demokratizimin” e saj.

Ndërsa, vlera e biznesit të heroinës sillet ndërmjet 204 e 329 milionë euro, e sasia e konsumuar është ndërmjet 5.1 dhe 8.2 tonelata.