Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 08:00

Tiranë – Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar, zhvilloi të enjten paradite një takim të veçantë me Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, me të cilin bashkëbisedoi mbi çështje të rëndësishme në interes të të dy vendeve tona fqinje, në mjediset e ndërtesës së Kryeministrisë, në Shkup.

Zyra e shtypit e presidencës, bën të ditur se, Presidenti Topi në fjalën e tij vuri theksin në rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve shumë të mira politike mes dy vendeve tona, pasi “ndikon ndjeshëm në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së mirëkuptimit dhe marrëdhënieve edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke siguruar në këtë mënyrë paqe, prosperitet e stabilitet afatgjatë në të gjithë rajonin ballkanik e më gjerë”.

Presidenti Topi vlerësoi lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve tanë me karta identiteti, por vuri në dukje gjithashtu edhe nevojën e përdorimit të frytshëm të resurseve turistike të të dyja vendeve tona, si dhe gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal.

Duke folur mbi angazhimet e shtetit shqiptar për përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, në kuadër të procesit euro-integrues të Shqipërisë, Presidenti Topi përsëriti njëkohësisht qëndrimin e palëkundur të shtetit shqiptar në mbështetjen e plotë ndaj Republikës së Maqedonisë, në përpjekjet e synimet e saj për integrim në NATO e BE.

Nga ana e tij, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Nikola Gruevski, pasi bëri një panoramë të detajuar të zhvillimeve më të fundit të vendit të tij dhe sfidave me të cilat përballet qeveria që ai drejton, vuri në dukje rëndësinë e këtyre takimeve të nivelit të lartë, si tregues të qartë të marrëdhënieve shumë të mira të dialogut politik mes dy vendeve tona fqinje, të mirëkuptimit e bashkëpunimit të ndërsjellë institucional në të gjitha fushat. (LajmeShqip.com)