|
|
e Hënë, 13 Gusht 2012 14:12 Preshevë – Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Galib Beqiri ka thënë për Express se shqiptarët e Luginës kanë marrë premtime të përhershme për investime si nga Qeveria e Kosovës edhe nga ajo e Shqipërisë, por sipas tij, asnjëra deri më tash nuk e ka mbajtur premtimin, ndërkaq, siç thotë ai, autoritetet e Shqipërisë e kanë më të lehtë ngase me shtetin serb kanë marrëdhënie diplomatike.
“Derisa Serbia bën çmos për pakicat serbe në Kosovë, në Kroaci, në Mal të Zi, në Hungari, në Rumani, pra jep fonde të veçanta, sidomos shoqatave joqeveritare, Kosova dhe Shqipëria ende asnjë cent nuk e kanë dhënë për Luginë të Preshevës”, ka theksuar Beqiri, duke shtuar se me Ligjin serb për pakicat dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë lejohet përkujdesja dhe investimi tek pakicat kombëtare.
Në prill të këtij viti zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, pas takimit me liderin e Lëvizjes së Progresit Demokratik të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu, pati premtuar se ekzekutivi kosovar do të investojë në ndërtimin e një shkolle në Preshevë dhe një rruge që lidh zonat shqiptare me kufirin e Kosovës, por katër muaj më vonë kjo çështje nuk duket në “rend të ditës”.
Por, lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu pas takimit me të cilin Kuçi e pati bërë publike se qeveria do të investojë në Luginë, thotë se Prishtina zyrtare nuk ka vullnet për një gjë të tillë.
“Nuk është realizuar asgjë. Nuk ka pasur asnjë përpjekje nga Qeveria e Kosovës për të investuar, nuk kemi pasur as thirrje, as ftesë, që së paku një shkollë të ndërtohet në Luginë. Ka mënyra, ka forma për investime, kjo (ndërtimi i shkollës) është çështje humanitare, nuk po ndërtohet kazermë, ose nuk po investohet në diçka me të cilën e prish një shtet tjetër, por po e ndërton një mësonjëtore, një shkollë, një shtëpi kulture. Nuk besoj që shkolla, rruga apo biblioteka ndalohet nga asnjë shtet”, ka theksuar kreu i LPD-së.
Musliu thekson se as Qeveria e Shqipërisë nuk ka vullnet për një gjë të tillë, ndërsa ka kujtuar se është pikërisht qeveria e Sali Berishës ajo e cila ka investuar në komunën e Graçanicës në Kosovë, e sipas tij, të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe në Luginë të Preshevës.
Sipas tij, gjatë takimit të prillit me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, ky i fundit iu ka premtuar atyre se taksa kufitare për shqiptarët që hyjnë në Kosovë do të zbresë në dhjetë euro, por një gjë e tillë nuk është bërë. (LajmeShqip.com)