Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 18:11

Londër – Ish-kryeministri britanik, Toni Bler pranoi se çdo ditë lexon pjesë nga libri i shenjtë i myslimanëve, Kur’ani.

Në intervistën për javoren “The Observer”, Bler tha se leximi i Kur’anit i ndihmon atij të bëhet njeri “i arsimuar në nivel fetar”.

“Që të jesh i arsimuar në nivel fetar është jashtëzakonisht me rëndësi në botën e sotme globale”, deklaroi për gazetën ish-kryeministri britanik.

Bleri e lexon Kur’anin në mënyrë që t’i kuptojë punët që po ndodhin (në botën myslimane) dhe në botë në përgjithësi, por atë, para së gjithash, e bën sepse është mjaft didaktike dhe e dobishme.

Njohja e këtij religjioni i ndihmon të jetë i informuar për funksionin e tij të tanishëm ndërkombëtar, si i dërguar i posaçëm i katërshes ndërkombëtare për Lindjen e Afërt, të cilën e përbëjnë KB-ja, SHBA-ja, BE-ja dhe Rusia, duke ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit prej disa dekadash ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Toni Bler, si kryeministër ishte akuzuar nga konservatorët britanikë se, gjoja, tallet me religjionin pas deklaratës se ai dhe Qeveria “nuk janë Zot”, por pas largimit nga Dauning Street 10, ai së shpejti u bë katolik, si e tërë familja e tij, e më pas edhe e themeloi fondacionin i cili angazhohet për tolerancë ndërfetare.