Lajme Shqip e Premte, 30 Shtator 2011 14:37

Gostivar (PLOTËSUAR 20:37)- Kryeministri i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan sot në rrethinën e Gostivarit u prit në mënyrë euforike dhe u përshëndet nga disa mijëra qytetarë.

Ai së bashku me një numër të madh ministrash, deputetësh dhe kryetarë komunash, si dhe me ish-yllin e kombëtares turke të futbollit, Hakan Shykyr dhe prefektin e Stambollit, Kadir Topbash, fillimisht e vizitoi fshatin Vrapçishtë, ndërsa vizitën e përfundoi me darkë në një restorant të Gostivarit.

Në tubim, i cili u mbajt para Qendrës për kutlurë në Gostivar, mysafiri i lartë dërgoi deri te pranishmit mesazh për bashkëjetesë, sepse siç tha, fuqia është në bashkim.

Erdogani dërgoi edhe fjali inkurajuese në drejtim të përforcimit të ekonomisë. Sipas tij, Maqedonia edhe pse e vogël, mund të arrijë rritje të madhe ekonomike.

Vizita e kryeministrit të Republikës së Turqisë u zhvillua nën masa të sigurisë. Për shkak të ndalesës për lëvizje në dy bulevardet e Gostivarit, trafiku u zhvillua me vështirësi.

Kryeministri Erdogan paraprakisht ishte në Tetovë, ndërsa qëndrimin dyditor në Maqedoni do ta përfundojë me vizitën në Ohër.

*****************************

Tetovë (PLOTËSUAR 16:17) – Kryeministri i Republikës së Turqisë Rexhep Taip Erdogan sot në suaza të vizitës në Tetovë, mori pjesë në faljen e namazit të së premtes në Xhaminë e Larme, pas çfarë iu drejtua të pranishmive.

Duke potencuar se për herë të dytë është në Tetovë, para vizitës së tij para 11 viteve menjëherë pas mbajtjes së dënimit me burg, Erdogani informoi se pas vizitës në këtë qytet e kanë formuar Partinë e Drejtësisë dhe Pogresit.

“Në vitin 2002 e fituam pushtetin dhe ju porosis se në vitin 2023 kur do të shënohen 100 vjet nga formimi i Republikës së Turqisë ne do të jemi në dhjetëshin e parë të vendeve më të zhvilluara ekonomike në botë. Ne juve asnjëherë nuk mund t’ju harrojmë për shkak se mes juve ka nipër të Osmanlinjve. Ne kemi vëllezër tanë edhe në Bosnjë, edhe në Prishtinë dhe Prizren edhe në Shkup, Manastir, Ohër, Dibër, Tetovë”, tha kryeministri turk.

Ai theksoi se bisedimet e djeshme me kreun shtetëror të Maqedonië, me kryeministrin Nikolla Gruevskin, me presidentin Gjorge Ivanov dhe të tjerët kanë kaluar në një atmosferë dhe dialog miqësor.

“Ju lus që edhe më tej të jeni të bashkuar dhe të mos ndaheni për shkak se ne ndajmë vlera të përbashkëta civilizuese. Unë nuk i dua turqit se janë turq ose shqiptarët se janë shqiptarë, maqedonasit se janë maqedonas, por për shkak se të gjithë njerëzit i ka krijuar një Zot” i porositi Erdogani tetovarët.

Ai  bashkë me një numër të madh të ministrave, deputetëve dhe kryetarëve të komunave, si dhe ish kampionin e reprezentacionit futbollistik turk Hakan Shukur dhe kreyebashkiakun e Stambollit Kadir Topbash, në mënyrë solemne e lëshuan në përdorim ndërtesën pranuese të Myftinisë së Tetovës të BFI-së.

Kryeministri Erdogan i vizitoi edhe Teqen Arabati Baba. Nga Tetova, kryeministri turk u nis për në Gostivar, ndërsa qëndrimin dyditor në Maqedoni do ta rrumbullaksojë me vizitën në Ohër.

****************************

Tetovë – Kryeministri turk Taip Rexhep Erdogan ka takuar të premten në Tetovë kreun e opozitës shqiptare, Menduh Thaçin (PDSH).

“I tregova kryeministrit turk se në Maqedoni po shkelen të drejtat e shqiptarëve, se këtu nuk po ndërtohet një shtet multietnik, por një shtet pan-orodoks, me tendenca të dominimit të maqedonëve”, ka thënë pas takimit, Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Erdogan po qëndron sot në Tetovë, Gostivar e Ohër, në ditën e dytë të vizitës së tij në Maqedoni. Ai ka udhëtuar në perëndim të vendit për të parë  nga afër jetën e shqiptarëve në Maqedoni. (LajmeShqip.com)