Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 17:45

Shkup – Shoqatat e veteranëve të luftës së UÇK-së dhe Unioni i Studentëve të USHT-së të premten do të protestojnë para ambasadës së Serbisë në Shkup, njofton INA.

Protesta organizohet dhe përkrahet nga Unioni i Studentëve të USHT-së,  Organizta e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së  si dhe Shoqata e të Burgosurve Politik Shqiptar në Maqedoni.

Kryetari  i Shoqatës së ish të Burgosurve dhe Përndjekurve politik shqiptar në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani deklaroi se qëllimi i kësaj proteste është kundërshtimi i politikës diskriminuese që shteti serb ka ndaj shqiptarëve, konkretisht ndaj atyre në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc.

Ndërkaq, kreu i SHVL-së së UÇK-së, Fazli Veliu ka deklaruar se qeveria e Serbisë po terrorizon shqiptarët në Luginë të Preshëves.

“Ne shqiptarët vendorë në IRJM, të indinjuar nga veprimet anti-UÇK-së dhe antishqiptare të institucioneve shtetërore e qeveritare të Serbisë, në Preshevë, duke hequr Emblemën e UÇPMB-së dhe duke tmerruar popullatën shqiptare atje, të organizuar dalim në mbrojtje të vlerave të UÇPMB-së dhe të popullatës së pambrojtur në viset stërgjyshore shqiptare”, ka deklaruar kreu i SHVL-së së UÇK-së, Fazli Veliu.

Protesta vjen në shenjë solidariteti ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pas heqjes  me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës si dhe pas arrestimeve të fundit të shqiptarëve dhe situatës së tensionuar të krijuar atje.(INA/LajmeShqip.com)