Lajme Shqip Friday, 19 April 2013 12:41

Athinë – Të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet greke do të transferohen në Shqipëri. 

Kjo çështje është bërë objektiv i negociatave të fundit mes ministrive të Drejtësisë dhe Rendit të të dy vendeve, diskutime që filluan gjatë Konferencës Rajonale të Drejtësisë, e cila u mbajt në Beograd. 

Në këtë mënyrë, të dënuarve shqiptarë në Greqi do t’iu jepet mundësia që të kryejnë dënimet e tyre në Shqipëri. Palët negociojnë, që të përcaktojnë kuadrin dhe kushtet, me të cilat të burgosurit shqiptarë në burgjet greke do të mund të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit në burgjet e vendit të tyre.

Kjo iniciativë e ministrisë greke të drejtësisë inkuadrohet në përpjekjen për shkarkimin nga mbipopullimi të burgjeve greke, ku mbahen rreth 8 000 shtetas të huaj, 2 500 e të cilëve janë shqiptarë. Objektivi i parë është që 500 të dënuar shqiptarë për krime të rënda, të transferohen në Shqipëri. 

Synimet e Ministrisë greke të Drejtësisë janë që në të ardhmen të ndërmarrë nismat për bisedime edhe me Bullgarinë e Rumaninë, për një numër të konsiderueshëm të shtetasve të këtyre vendeve që mbahen në burgjet greke.

Dihet tashmë se burgjet greke janë të mbipopulluara dhe janë bërë shpesh objekt i kriktikave të insitucioneve ndërkombëtare për mënyrën e trajtimit të të dënuarve.(LajmeShqip.com)