|
|
e Shtunë, 06 Tetor 2012 12:10 Athinë – Pre e zemërimit të ekstremistëve në Greqi, është bërë këtë herë arti dhe artistët. Regjisori dhe aktori shqiptar Laert Vasili me shfaqjen e tij të Corpus Chris, ka ngjallur reagimin fanatikëve të zemëruar, që u mblodhën jashtë teatrit Hitrio në Athinë për të protestuar, duke hedhur parulla të tilla si “Shqiptar, këtu do të bëhet varri yt!” apo “Një është drejtuesi, Jezusi i Nazaretit dhe jo Antikrishti çifut!”. 
Rreth 30 njerëz, me imazhet e shenjtorëve në krahë, në mesin e të cilëve edhe priftërinj, si dhe anëtarë të ekstremit të djathtë “Agimi i Artë” me flamuj grekë në duart e tyre dhe duke kënduar himnin kombëtar, u shfaqën të enjten nga pasditja deri në mbrëmje para teatrit, me qëllimin për të ndaluar shfaqjen e Laert Vasilit dhe grupit të tij, duke e quajtur atë blasfemi. Anëtarët e organizatave të krishtera dhe anëtarë të Agimit të Artë akuzuan pjesën, që sipas tyre sulmon personin e Krishtit, duke prekur kështu ndjenjat fetare.
Protestuesit u mblodhën para teatrit, pasi gjykata shfuqizoi kërkesën e tyre që shfaqja të konsiderohet si blasfemi. Në gjykatë regjisori mbrojti punën e tij duke argumentuar se ajo nuk fyen askënd. Në hyrje të teatrit skuadrat e policisë u përballën me protestuesit, të cilët kërkonin nga policia të heqë posterat e shfaqjes dhe të mos lejojë dhënien e saj.
Dionisis Makris botues i një gazete të Kishës tha: “Ne jemi kundër kësaj shfaqje, sepse ofendon Jezu Krishtin. Askush nuk mund të pretendojë që nëpërmjet artit të tij të përqeshë dhe të fyejë në këtë mënyrë fenë tonë. Nëse kjo do të bëhej me Muhamedin, reagimi do të ishte shumë më i fortë. Ne kërkojmë që të mos realizohet kurrë ky projekt. “
Nga ana e tij, drejtori i shfaqjes, artisti shqiptar, Laert Vasili argumenton se “qëllimi i kësaj shfaqje është vetëm për të nxjerrë në pah nevojën e shoqërisë, për një lider të përjetshëm”, dhe i fton ata të shohin punën e tij dhe të zbulojnë a ka në të vërtetë fyerje për një fetar. Vasili tregon se shfaqja ka të bëjë me jetën e një fëmije, Joshua, që nga lindja e tij, vitet e shkollës, ku ai zgjidhet si lider nga një grup njerëzish, të cilët nuk janë homoseksualë. Në projekt ka një pasazh nga Ungjilli i Mateut, i cili lexohet pastër. Nëse kjo shfaqje ofendon disa njerëz, me të njëjtën logjikë duhet të anulohen edhe shfaqjet e Shekspirit apo Sofokliut, që lëvdojnë monarkinë”, thotë Vasili.
Ndërkohë që shfaqja ishte anuluar më herët për disa arsye teknike dhe është shtyrë për më 11 tetor, protestuesit premtuan se do të jenë para teatrit edhe të enjten e ardhshme, së bashku me batalionet e sulmit të “Agimit të Artë”.(LajmeShqip.com)