Lajme Shqip e Premte, 20 Korrik 2012 17:47

Madrid – Qindra mijë njerëz dolën në rrugë në 80 qytete spanjolle për të protestuar kundër masave të fundit qeveritare për kursim, kumtuan agjencitë botërore.

Partia popullore në pushtet e shfrytëzoi shumicën e vet në parlament për t’i shtyrë masat, të cila përfshijnë rritje të tatimeve dhe ulje të rrogave.

Demonstruesit u tubuan në sheshin kryesor madrilen “Puerta del sol” dhe para parlamentit, ku policia kishte vendosur forca të veta dhe vendosi barrikada si masë kujdesi në rast të paraqitjes së dhunës.

Megjithatë dhuna shpërtheu dhe njëzet e gjashtë persona u lënduan në përleshjet ndërmjet policisë dhe demonstruesve në Madrid. Përleshjet shpërthyen para parlamentit, pasi që një grup demonstruesish tentoi t’i kalojë rrethojat e vendosura nga organet e rendit.

Janë arrestuar gjashtë demonstrues. Në mesin e të lënduarve është edhe një polic. Protesta masive kishte edhe në Barcelonë dhe Bilbao. Sipas gazetës “Pais”, në demonstratat në Madrid kanë marrë pjesë mbi 100.000 njerëz.

Spanja po e përjeton recesionin e dytë në tre vitet e fundit dhe ka rrezik të futet në situatën që i nevojitet shpëtim, ngjashëm me Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë, nënvizuan agjencitë. (LajmeShqip.com)