Lajme Shqip Friday, 02 November 2012 17:04

Shkup – Reagimi i presidentit bullgar, ka ardhur pasi që presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov i ka dërguar një letër në të cilën kërkon festimin e përbashkët të ngjarjeve historike, duke përfshirë Ditën e Evropës, ditën e njohjes së vendit nga Bullgaria dhe ditën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Ai ka theksuar se nuk planifikon të vazhdojë korrespodencën me letra me homologun maqedonas. Duke komentuar propozimet e Ivanov për festimet e përbashkëta, Plevneliev është përgjigjur: “Ato propozime janë shumë larg nga ato data që Bullgaria vlerëson se duhet të jenë datat për festime të përbashkëta. Jo vetëm një apo dy data, por duhet më shumë, data që janë evropianizuese dhe të njohura më parë si dhe të vërteta. Përse të mos festojmë Goce Dellçev”.

Plevneliev ka thënë se është koha që midis Shkupit dhe Sofjes të shkohet në zgjidhje konkrete për çështjet e hapura.

Një numër i madh i personaliteteve historike të rilindjes bullgare festohen edhe në Maqedoni, si personalitete historike kombëtare si revolucionarët Goce Dellçev, Jane Sandanski, Nikolla Karev, por edhe datat për Shën Kirilin dhe Metodin. Instituti i Historisë në Sofje i ka propozuar Shkupit më parë një listë datash që kanë një histori të përbashkët dhe identifikohen me personalitete të njëjta historike që kanë luftuar për një kauzë të përbashkët.

Presidenti bullgar Rosen Plevneliev ditë më parë në takimin me evrokomisionerin për zgjerim, Shtefan Fyle ka theksuar se në Maqedoni po shënohet rritje e trendeve të retorikës nacionaliste, raportit diskriminues ndaj qytetarëve me përkatësi bullgare dhe barriera administrative për biznesin dhe investimet bullgare. (INA)