Lajme Shqip Monday, 26 October 2015 10:13

Pesë militantë të dyshuar të grupit të Shtetit Islamik (ISIS) dhe dy policë u vranë mëngjesin e sotëm gjatë shkëmbimit të zjarrit në qendër të Diyarbakirit, qytet kryesor në juglindje me shumicë kurde në Turqi, bëhet e ditur nga burime të forcave të sigurisë.

 “Policia ka nisur kontrollin ndaj disa shtëpive të një lagjeje të qytetit ku strehoshin grupe xhihadistësh duke hapur zjarr ndaj tyre, shkaktuar kundërpërgjigjen e forcave të rendit”, bëhet e ditur nga të njëjtat burime.

“Shkëmbime intensive zjarri kanë nisur sërish këtë mëngjes në të njëjtën lagje, pasi policia kishte sinjalizime për të dyshuar të tjerë”, njoftoi një gazetar në vendngjarje.

Autoritetet turke e kanë cilësuar ISIS-in si të dyshuarin kryesor të atentatit të dyfishtë ku mbetën të vrarë rreth 102 persona më 10 tetor para stacionit të trenit në Ankara, sulmi më tragjik i përjetuar deri më tani në Turqi.