Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 18:44

Prishtinë – Në artikullin e D. Radeta Djordjevic, “Shqipëria e Madhe hyn nëpër derë të madhe” (Velika Albanija na velika vrata), të botuar në gazetën serbe ‘Veçernje Novosti’, analizohen opinionet e tre studiuesve, Dimitris Panatoyakis, Dragan Petrovic dhe Jadranka Polovic, sipas të cilëve, Shqipëria e Madhe praktikisht po funksionon. Pyetja e vetme që shtrohet është se cila do të jetë harta e saktë ballkanike, që do ta trashëgojnë gjeneratat e ardhshme.

Panatoyakis mendon se Shqipëria e Madhe mund të bëhet realitet pa konflikte të mëdha, sepse shtetet rajonale varen shumë nga ndihmat e huaja, gjë që mund t’i detyrojë ta japin pëlqimin për realizimin e saj. Petrovic ndërkaq mendon se suksesi i faktorit shqiptar varet nga ajo sesa do të ndjehen të kërcënuara dhe nga mënyra se si do reagojnë shtetet tjera ballkanike ndaj këtij projekti – gjegjësisht, nëse Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia bashkëpunojnë dhe përballen me këtë problem seriozisht, përmes një qëndrimi të përbashkët.

Sipas Dragan Petrovic, historianit dhe potikologut që sapo ka promovuar librin “Gjeopolitika e Mesdheut”, ideja e Shqipërisë së Madhe nuk do të ishte asgjë më shumë se një ide ekstremiste, po qe se pas saj nuk do të qëndronte mbështetja politike e SHBA’ve, Britanisë së Madhe dhe e një pjese të Gjermanisë, megjithëse, në këtë mes, ai përmend edhe mbështetjen e qarqeve të caktuara islamike në botë.

“Faktori shqiptar nuk do të kishte asnjë gjasë, nëse Beogradi, Podgorica, Shkupi dhe Athina, do të bashkëpunonin strategjikisht ndaj kësaj çështjeje, duke u mbështetur tek fuqitë e mëdha, të cilat nuk e pranojnë një gjë të tillë, si për shembull e gjithë aleanca BRIC, por edhe shtetet e BE’së të cilat nuk i mbështesin konceptet kaq ekstremiste, si Franca, Spanja, Italia, Sllovakia, Rumania. Politika amerikane, si sponsoruese kryesore e revizionizmit shqiptar, ka ndikim të fuqishëm në vendet ballkanike, ndërkohë që disa nga qeveritë e këtyre vendeve po veprojnë drejtpërsëdrejti kundër interesave të tyre afatgjata”, thekson në artikull Petrovic. A nuk ishin qeveritë e Podgoricës e të Shkupit ato që e njohën shtetin fantazmë të Kosovës, përderisa zyrtarët e Beogradit, në vitin 2008, bënë një seri gabimesh të papranueshme në raport me Kosovën e Metohinë, madje duke vepruar kundër kushtetutës së vetë, thekson Petrovic, i cili sqaron se, “nëse nuk e respekton vetë kushtetutën e vendit, atëherë mos prit respektim të saj nga të tjerët”.

Analisti grek, Panatoyakis, ndërkaq pohon se “shqiptarët shpresojnë që ëndrra për Shqipërinë e Madhe të realizohet në të ardhmen e afërt, në vitin 2016″. Sipas tij, Washingtoni e Brukseli deri më tani kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme parash për këtë qëllim, andaj s’e kanë ndërmend që këto para t’u shkojnë huq. Madje, pas njohjes së Kosovës projekti për Shqipërinë e Madhe është edhe më i realizueshëm sesa në fillim të Luftës së Dytë Botërore, thekson ai.

“I ashtuquajturi shteti kosovar e deklaroi pavarësinë, por me kusht që mos ketë të drejtë bashkimi me ndonjë shtet tjetër. Por, të gjithë e kanë të qartë se është vetëm çështje kohe kur provinca jugore e Serbisë të bashkohet me Shqipërinë. Sepse, kemi një komb të ndarë në dy shtete fqinje, dhe fuqitë e mëdha që mbështesin bashkimin e tyre”, nënvizon Panatoyakis.

Pas bashkimit me Kosovën, thotë Panatoyakis, skenari është i qartë: fillimisht do të iniciohet çështja e perëndimit të “IRJ të Maqedonisë”, e pastaj edhe e pjesëve të tjera të Ballkanit me popullatë shqiptare.

“Shqipëria e Madhe ndoshta nuk ekziston formalisht, por ajo që tani funksionin juridikisht dhe praktikisht, sepse kufiri mes Kosovës e Shqipërisë sikur nuk ekziston, ndërsa ai mes Kosovës dhe IRJ të Maqedonisë është më shumë imagjinar sesa real”, pohon analisti grek.

Përveç territorit aktual të Shqipërisë, në shtetin e madh shqiptar do të duhej të hynin edhe Kosova, Lugina e Preshevës, pjesa perëndimore e IRJ së Maqedonisë, pjesët jugore dhe lindore të Mali të Zi – pra Ulqini dhe disa pjesë të komunave Plavë dhe Rozhajë, si dhe Epiri jugor grek, edhe pse grekët ka kohë që po luajnë me kartën e Epirit verior, ku kryesisht jeton pakica kombëtare greke. Por, shqiptarët gjithçka punojnë në afat të gjatë, sqaron Panatoyakis.

“Vizita e Hillary Cliton rajonit, vitin e kaluar (në Bosnje e Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci), gjatë së cilës ajo nuk udhëtoi fare në Maqedoni, për mendimin tim ishte një ‘dënim me vdekje’ për këtë shtet, ku më parë ushqeheshin ndjenja pozitive ndaj Amerikës. Pra, Shqipëria e Madhe do ta nisë shtrirjen e saj nga Maqedonia”, shprehet politikologjia kroate, Jadranka Polovic, e cila ka mbrojtur doktoraturën me temë ndikimin amerikan në rajon.

Edhe Polovic thekson se, kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ekziston, ndërkohë që thotë se u beson krerëve të lëvizjes nacionaliste shqiptare, sipas të cilëve, fuqitë e mëdha kanë janë pajtuar për një hartë të re gjeopolitike të Europës, pjesë e të cilës është edhe Shqipëria e Madhe.

“Mendoj se në të ardhmen ka shumë gjasa që Serbia dhe Kroacia ta ndajnë BeH’në, edhe pse ato gjithsesi do të mbeten shtete të vogla krahasuar me Shqipërinë e Madhe, e cila do të funksionojë nën ombrellën e BE’së”, sqaron tutje Polovic.

Studiuesja kroate mendon se ky rikonfigurim i Ballkanit të ndodhë pa konflikte të mëdha (eventualisht, me pak rezistencë në Maqedoni e Greqi), Ajo sqaron se Mali i Zi, Kosova e Maqedonia varen së tepërmi nga ndihma dhe ndikimi i SHBA’ve, ndërkohë që Beogradi, Shkupi, Podgorica dhe Athina do të jenë të detyruar të japin pëlqimin.

“Një rezultat i tillë nuk është fare i papritur, në një rajon ku mbizotëron mentaliteti i të qenit nën mbrojtje të fuqive të mëdha. Të mëdhenjtë arrijnë të merrem vesh më së miri me njëri-tjetrin, ndërkohë që ne të vegjëlve na mbeten inatet e motivuara nga nacionalizmi”, përfundon Polovic.

Nga ana tjetër, Panatoyakis mendon se, Shqipëria e Madhe nuk mund të bëhet realitet përmes rrugëve demokratike.

“Në Kosovë e arritën qëllimin e tyre me luftë, ndërkohë që në IRJ të Maqedonisë atë mund ta arrijnë përmes konflikteve të vogla. Por, kur bëhet fjalë për Greqinë, gjërat ndryshojnë, sepse, pavarësisht problemeve ekonomike, ajo mbetet një shtet serioz dhe i fuqishëm”, mendon Panatoyakis. Andaj, sipas tij, Lëvizja për Shqipërinë Natyrale le të kuptohet se rruga drejt qëllimit përfundimtar do të bëhet përmes mjeteve demokratike, por duke shmangur termin “Shqipëri e Madhe” – gjegjësisht, që projekti të mos asociohet me idenë fashiste të “Shqipërisë së Madhe”, të Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, Panatoyakis thekson se ata po iu referohen gjithnjë e më shumë ushtarëve çlirimtarë si në Maqedoni, ashtu edhe në Luginën e Preshevës.

I pyetur nëse është i mundur bashkimi paqësor i shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë, Kosovës e jugut të Serbisë, Petrovic thotë:

“Në rast se këto vende, viktima të Shqipërisë së Madhe – të përgjumura e në disa raste, kukulla të politikave amerikane – pranojnë që të ndodhë kjo gjë, atëherë kjo do të thotë vetëvrasje. Për këtë duhen shfrytëzuar zhvillimet shumë-polëshe botërore, për të dobësuar ndikimin e SHBA’ve dhe të fuqive tjera që e mbështesin idenë e Shqipërisë së Madhe”, përfundon ai.(LajmeShip.com)