Lajme Shqip Thursday, 02 May 2013 15:14

Këta të akuzuar do të mbahen së paku deri në paraqitjen e tyre të ardhshme në seancën gjyqësore, më 14 Maj.

Dy prej tyre janë nga Kazakistani, ndërsa avokatët e tyre thonë se Azamat Tazhayakov dhe Dias Kadyrbaev, të dy të moshës 19 vjeçare, nuk janë të involvuar në sulmet me bomba më 15 Prill, nga të cilat u vranë tre vetë dhe u plagosën më tepër se 260 të tjerë.

Të dy të rinjët, që janë përshkruar si shokë të Tsarnaevit, janë të akuzuar për konspiracion për ta penguar drejtësinë.

I dyshuari i tretë, Robel Phillipos, shtetas amerikan, është i akuzuar për dhënien e deklaratave të rrejshme te hetuesit.

Megjithatë, këta të tre nuk janë akuzuar për involvim direkt në sulmet me bomba.

Të tre këta persona akuzohen për largimin e një traste dhe të laptopit nga dhoma e Tsarnaevit në Universitetin Masaçusets, në Dartmouth, pas një shkëmbimi të mesazheve tekstuale me Tsarnaevin.

Autoritetet amerikane thonë se trasta ishte e mbushur me gypa të fishekzjarreve, nga të cilët ishin zbrazur materialet shpërthyese.

Autoritetet theksojnë se xhelatina e vazelinës së vajgurit, poashtu, ishte larguar nga dhoma, pasi Kadyrbaev, kishte menduar se substanca ka mundur të përdoret për “bërjen e bombave”.

Sipas hetuesve, Kadyrbaev dhe Tazhayakov, i kishin dërguar pajisjet prapa në banesën e tyre, ndërsa Kadyrbaevi i kishte hedhur ato në mbeturina. Më vonë policia e ka gjetur trastën në një gropë.

Sipas dëshmive nën betim, të dy personat nga Kazakistani, nga raportet e mediave kishin konkluduar se pamjet e publikuara nga autoritetet tregojnë se Tsarnaev ishte idyshuar se është njëri nga sulmuesit me bomba.

Dzhokhar Tsarnaev, 19 vjeçar, mbetet në spital me plagët e pësuara gjatë shkëmbimit të të shtënave me policinë më 19 Prill, kur ai ishte zënë.

Vëllai më i madh i Dzhokarit, Tamerlan Tsarnaev, ishte vrarë gjatë shkëmbimit  të të shtënave me policinë, po atë ditë.

Nëna e tyre ka thënë se akuzat për sulm me bomba kundër djemve të saj, me kombësi çeçene, janë gënjeshtra.

Kadyrbaev dhe Tazhayakov janë arrestuar nga shërbimet e imigrimit të Shteteve të Bashkuara, pas sulmeve me bomba, nën dyshime fillestare se kanë bërë shkelje lidhur me vizat e tyre studentore.

Agjencia FBI thotë se të tre pesronat e akuzuar ishin studentë kolegë të Dzhokhar Tsarnaevit në Univesritetin Masaçusets.

Robert Stahl, avokat i studentit Kadyrbaev, tha pas dëgjimit të parë, se klienti i tij nuk ka asgjë të përbashkët me komplotin me bomba.

“Dias Kadyrbaev absolutisht i hodhi poshtë akuzat. Siç kemi thënë prej fillimit, ai i ka ndihmuar FBI-së në këtë hetim. Ai është i shokuar dhe i tmerruar nga dhuna në Boston. Ai nuk e ka ditur se ky individ, Tsarnaev, ishte i involvuar në sulmin me bomba”.

“Aludimi i tij i parë erdhi shumë më vonë. Akuzat e qeverisë, se ai i ka parë fotot dhe e ka njohur Tsarnaevin menjëherë, i kontestojmë dhe këtë do ta provojmë në gjykatë. Zotit Kadyrbaev dhe familjes së tij u vjen shumë keq për atë që ka ndodhur këtu në Boston, por ai nuk ka asgjë të përbashkët me këtë”, tha avokati Stahl.

Harlan Protass, avokat i Tazhyakovit, poashtu ka thënë se klienti i tij nuk ka lidhje me komplotin me bomba.

Raportohet se Kadyrbaev dhe Tazhayakov, ballafaqohen me dënimin maksimal prej pesë vitesh burg dhe dënim në të holla prej 250 mijë dollarësh.

Pillipos ballafaqohet me dënim deri në tetë vjet burg dhe dënim prej 250 mijë dollarësh. (LajmeShqip.com)