Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 11:23

Boston – Një hetim po zhvillohet pas dy shpërthimeve në maratonën e Bostonit që lanë tre persona të vdekur dhe rreth 140 të plagosur. Byroja Federale e Hetimeve, FBI, ka marrë përsipër koordinimin e asaj që duket një “pistë tërësisht terroriste”.

Ndërsa policia e Bostonit deklaron se oficerët po punojnë gjithashtu mbi ngjarjen dhe çdo pushim i parashikuar është anuluar.

Të paktën 17 persona janë plagosur rëndë, thonë autoritetet, disa prej të cilëve kanë humbur gjymtyrët, ndërsa mes viktimave ishte edhe një djalë 8-vjeçar.

Ndërkohë, në një fjalim televiziv, presidenti Barack Obama bëri thirrje për nxjerrjen e përgjegjësve të këtyre sulmeve para drejtësisë. “Ne do t’i gjejmë ata që e bënë

këtë. Ne do ta zbulojmë përse ata e bënë këtë. Çdo individ apo grup përgjegjës do të ndjejë peshën e rëndë të drejtësisë amerikane”, deklaroi Obama.

Edhe pse ai nuk e përdori fjalën “terrorizëm”, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha më vonë se: “çdo ngjarje me seri shpërthimesh, si kjo që ndodhi, duket si një akt i pastër terrorizmi dhe do të trajtohet si e tillë”.

Shperthimi i pare dodhi rreth ores 14:50me orën lokale, në pjesën veriore të Boylston Street, rreth dy orë pasi fituesit kaluan vijën e finishit.

Fillimisht mes turmës pati konfuzion dhe panik. Disa nga garuesit u rrëzuan në tokë, ndërsa policia dhe të pranishmit e tjerë vrapuan të ndihmonin personat e goditur nga shpërthimi.

Pak sekonda më pas, një tjetër shpërthim përfshiu turmën, larg vijës së finishit, rreth 50 ose 100 metra nga vendi i shpërthimit të parë.

Pamjet televizive treguan atletë të plagosur dhe spektatorë që mjekoheshin në vendin e ngjarjes. Anëtarët e skuadrave të shpëtimit kapërcyen gardhet për të ndihmuar të lënduarit.

Në një deklaratë paraprake, komisioneri i Policisë së Bostonit, Edward Davis deklaroi se autoritetet nuk kishin marrë “informacione specifike se diçka e tillë do të ndodhte”. Ai u bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë nëpër shtëpi dhe të mos qëndrojnë në grupe. (T.CH/LajmeShqip.com)