Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 13:30

Shkup- Ka kaluar një vit i tërë që ende shmanget vendosja e përmendoreve të tre personaliteteve shqiptare të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.   

Tre përmendoret shqiptare, që duhej të ndryshonin karakterin monoetnik të projektit “Shkupi 2014”, kanë ngecur  në fazën e derdhjes në bronz, ndonëse ky proces ka nisur që para shumë një viti.  

Në gusht të vitit 2012, Komuna Qendër kishte informuar se përmendoret e Nexhat Agollit, Josif Bagerit dhe të Pjetër Bogdanit do të vihen deri në fund të vitit 2012, ndërsa po vjen fundi i vitit 2013 dhe përmendoret shqiptare s’janë askund. 

Burime të “Zhurnal” kanë theksuar se vonimin e qëllimshëm të mosvendosjes së përemdnoreve shqiptare në qendër të Shkupit po e bën partneri i koalicionit shqiptar, partia maqedonase VMRO DPMNE, por kjo ndodhë edhe pasi nuk përfillet kërkesa e BDI-së që përmendoret shqiptare të vendosen sa më shpejtë dhe në këtë mënyrë të ndryshohet pak a shumë karakteri maqedonas i kryeqytetit. 

Pasi komunën Qendër të Shkupit në zgjedhjet e fundit lokale e kishte fituar partia opozitare LSDM, edhe pse këta të fundit patën deklaruar se do të bllokojnë gjithçka sa i përket projektit “Shkupi 2014”, për përmendoret shqiptare patën deklaruar se nuk do të bëjnë asnjë problem. 

Komuna Qendër do të heq dorë nga detyrimet e saj për një pjesë të ”Shkupit 2014”. Ajo planifikon të tërhiqet nga mirëmbajtja e gjitha përmendoreve dhe fontanave të projektit qeveritar.

Kryetari i komunës Andrej Zhernovski kishet deklaruar se Qyteti i Shkupit është përgjegjës për mirëmbajtjen e përmendoreve dhe nuk do të ketë ndonjë problem sa i përket përmendoreve shqiptare. 

“Me qëllim që të sigurohet menaxhim më efikas dhe ekonomik për objektet në fjalë, propozohet që ata t’i jepen për mirëmbajtje, mbrojtje dhe shfrytëzim Qytetit të Shkupit, me çka edhe mjetet e nevojshme do të ishin siguruar nga buxheti i qytetit”, thuhet në sqarimin e propozim-vendimit të nënshkruar nga Zhernovski. 

Thuajse të gjitha objektet që janë dashur të përfundohen në të njëjtën periudhë me përmendoret shqiptare siç ishin ishin skulpturat në urën “Syri” dhe në “Urën e artit”, përmendorja e Petar Çulevit etj, kanë përfunduar, ndërsa përmendoret për tre figurat shqiptare, 
Nexhat Agolli, Josif Bageri dhe Pjetër Bogdani nuk janë askund. 

Partia opozitare LSDM ka akuzuar qeverinë se ka harxhuar 60 milionë euro para të dyshimta nga anekse për projektin “Shkupi 2014”, më tepër se kontratat paraprake.

Edhe për kundër këtyre milionave euro të harxhuara edhe nga paratë e shqiptarëve të Maqedonisë, mbeten ende pa u realizuar përmendoret e figurave shqiptare.