Lajme Shqip Wednesday, 13 June 2012 17:24

Shkup – Patriotizëm i rremë dhe tentim për të shëruar komplekse, kështu i cilësoi  akuzat e një dite më parë të PDSH-së, sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi, në një konferencë për shtyp në selinë partiake në Shkup, ku ka prezantuar një sërë dokumentesh që dëshmojnë se shumë projekte nga megaprojekti “Shkupi 2014″, janë miratuar nga qeveria 2006-2008.

Ademi ka adresuar breshëri akuzash ndaj PDSH-së, duke i quajtur krerët e tyre si “përçarës të votës shqiptare dhe përbuzës të Luftës Çlirimtare të vitit 2001″. Sekretari i BDI-së ka vënë në dukje dhe shumë “mëkate” të tjera të PDSH-së gjatë qeverisjes së saj për dy vitesh me VMRO-DPMNE-në.

“Shqiptarët e Maqedonisë asnjëherë nuk do të harrojnë që PDSH dhe drejtuesit e saj ishin historikisht promotorët e përçarjes së votës shqiptare. Shqiptarët e Maqedonisë dhe në rajon asnjëherë nuk do të harrojnë deklaratën e Menduh Thaçit kur e quajti UÇK-në ‘terroristë’ dhe u shpreh që ‘qeni i keq ta sjell ujkun te dera’ duke aluduar në UÇK-në. Shqiptarët asnjëherë nuk do të harrojnë që PDSH, edhe pse i humbi zgjedhjet në vitin 2006, theksoi që ‘çdo tenxhere e ka kapakun e vet’ duke dëshmuar se për PDSH-në, vota e shqiptarit nuk vlen dhe shitet për pjesëmarrje në Qeveri”, ka theksuar Ademi.

Shqiptarët, shtoi Ademi, asnjëherë nuk do ta harrojnë uzurpimin 16 muajsh të institucioneve shtetërore të PDSH-së, pa vullnetin e shqiptarëve, uzurpim që solli moratorium për çështjet etnike,  mosnjohjen e Kosovës, instalimin e regjimit me viza me Shqipërinë, respektimin e marrëveshjes Serbi – Maqedoni mbi kufirin e Kosovës, mosrealizimin e demarkacionit, abrogimin e Ligjit për Flamur, inferioritetin dhe servilitetin ekstrem, gërmimet politike në Kalanë e Shkupit dhe shumë padrejtësi institucionale ndaj shqiptarëve”, ka vijuar akuzat sekretari i BDI-së, për të rikujtuar më pas edhe “kasaphanën” e 1 qershorit të vitit 2008.

Ademi ka akuzuar gjithashtu se zanafilla e kishës në Kala ndodhet tek gërmimet e filluara në mars të vitit 2007, kur siç ka thënë, “PDSH uzurpoi institucionet e vendit dhe udhëhiqte Ministrinë e Kulturës pasi kishte përdhosur votën shqiptare”. “Më 11 shkurt të vitit 2010, nënkryetari i PDSH-së, Iljaz Halimi, do të deklarojë: ‘mua më së paku mund të më pengojë të ndërtohet kishë, inshalla edhe tre kisha tjera le t’i ndërtojnë në sheshin e Shkupit’ duke konfirmuar vendimin e marrë nga ana e PDSH-së për ndërtimin e kishës ortodokse mbi shtëpinë e lindjes së Nënës Terezë. Shqiptarët e dinë shumë mirë se autori ekskluziv i projektit Shkupi 2014 është PDSH-ja gjatë qeverisjes së paligjshme dhe drejtimit të Ministrisë së Kulturës nga Arifhikmet Xhemaili”, është shprehur Ademi.

Sipas tij, vendimi për projektin “Shkupi 2014″ është marrë më 20 janar të vitit 2008, koha kur “qeveria e PDSH-së miratoi vendimet për projektin monoetnik dhe monofetar, projekt të cilit BDI ia ndryshoi tërësisht karakterin duke përmirësuar gabimet trashanike të PDSH-së”.

“Ndërsa sa i përket vendosjes së kryetrimit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në qendër të Shkupit dhe pretendimeve të PDSH-së, Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh kënaqësinë që për herë të parë, që nga viti 2006. kur e kemi vendosur atë shtatore, PDSH shpreh mirënjohje dhe gatishmëri ta pranojë atë si një të arritur të madhe për të gjithë shqiptarët. Andaj, ftojmë PDSH-në që ta nderojë kryetrimin shqiptar pas gjashtë viteve dhe të festojë bashkë me të gjithë shqiptarët ndërtimin e sheshit më të madh në Ballkan, sheshit Skënderbeu”, ka thënë Ademi. (LajmeShqip.com)