Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 18:11

Shkup – Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në takimin me ambasadorin amerikan, Filip Riker, me datë 19 dhe 20 janar të vitit 2010, është ankuar se nuk ka përparim në zgjidhjen e problemit të emrit dhe se ekziston konflikt në koalicionin qeveritar për shkak të prishjeve të marrëdhënieve ndëretnike. Informacionet e tilla i ka bërë publike Wikileaks, ku shkruhet se Ahmeti i ka thënë Rikerit se insitimi i vrazhdë i kryeministrit Nikolla Gruevski për identitetin maqedonas e lëndon BDI-në dhe se shqiptarët nuk janë të kënaqur me koalicionin BDI-VMRO. Përkundër problemeve ekzistuese, Ahmeti ka theksuar se nuk do ta lëshojë qeverinë. Sipas dokumentit që e ka publikuar Wikileaks, të cilin Riker e ka dërguar në State Departament pas takimit me Ali Ahmetin dhe Abdilaqim Ademin, lideri i BDI-së ka thënë se Gruevski për shkak të bombardimit me anë të propagadës dhe fushatave të egra për identitetin maqedonas, gëzon edhe rejtingun e lartë tek populli maqedonas. Nga ana tjetër, rejtingu i BDI-së ka rënë për 4% përshkak të çështjes së pazgjidhur të emrit, sepse për shqiptarët është kruciale që ajo të zgjidhet. Megjithatë, Ahmeti në bisedën me Rikerin nuk ka saktësuar atëherë ndonjë afat për prishje të koalicionit me Gruevskin, sepse sipas tij, dalja nga Qeveria vetëm se do ta dëmtojë shtetin.