Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 14:41

Shkup – VMRO-DPMNE dhe BDI, dy partitë fituese në zgjedhjet e 5 qershorit, kanë nisur kontaktet e para të bisedimeve për formimin e koalicionit qeveritar, mëson “Lajmeshqip.com”. Siç mësohet, krerët e partisë shqiptare kanë përgatitur platformën dhe kërkesat me të cilat do të paraqiten në negociatat për formimin e koalicionit qeveritar. Brenda ditëve të ardhshme pritet edhe takimi i parë midis liderit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Siç bëhet e ditur nga burime partiake, partia shqiptare është dakorduar me disa pjesë të programit të VMRO-DPMNE që kanë të bëjnë me planin ekonomik dhe social, ndërsa ajo pritet që të përfshijë edhe platformën e saj. Gjithashtu bëhet e ditur se BDI do të kërkojë përfshirjen e kërkesave të saj në kuadër të prioriteteve të Qeverisë së re, siç janë zhbllokimi i proceseve euro-integruese përmes zgjidhjes së kontestit të emrit, implementimi i shpejt i pjesëve të ngelura dhe kontestuese të Marrëveshjes së Ohrit, mbyllja e rasteve të Hagës si dhe kërkesa të tjera që kjo parti i pati si pjesë të platformës parazgjedhore.

Në kuadër të negociatave, BDI do të kërkojë edhe postin e kryetarit të Parlamentit si dhe ministri më të rëndësishme në kuadër të Qeverisë, siç është ajo e Financave dhe Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ). BDI, ditë më parë bëri të ditur se mëton të hyjë vetëm në qeveri, duke përjashtuar ndonjë koalicion të mundshëm me opozitën shqiptare.

“Ne jemi fitues absolut dhe të vetëm do hyjmë në zgjedhje. Për fat të keq, ne nuk kemi me kë të bisedojmë, pasi që jemi fitues absolut. Ne ftuam para zgjedhjeve shqiptarët që të votojnë dhe të koncentrohet vota shqiptare, dhe ashtu ndodhi. BDI është fitues absolut. Mendoj se partitë tjera politike do jenë opozitë konstruktive. Ne ende nuk kemi kontaktuar me asnjë parti politike rreth formimit të qeverisë së re”, ka thënë sekretari gjeneral i BDI-së Abdilaqim Ademi.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), pas këtyre zgjedhjeve pritet të formojë një pakt me partitë më të vogla për një front opozitar. Një informacion i tillë bëhet i ditur brenda kuluareve të PDSH-së, të cilët pohojnë se në plan të parë, parashikohet edhe fronti i tillë opozitar në stilin e LSDM-së, e cila ka përfshirë brenda radhëve të saj partitë e tjera opozitare. Zyrtarë të lartë të PDSH-së, madje nuk kanë dashur të flasin lidhur me idenë e frontit të tillë politik opozitar, mirëpo ata nuk kanë përjashtuar një gjë të tillë. PDSH pritet të jetë një opozitë e fortë brenda Parlamentit, ndërsa janë përjashtuar zërat për përfshirjen e kësaj partie në kuadër të ndonjë koalicioni të mundshëm qeveritar.

Në zgjedhjet e 5 qershorit, VMRO-DPMNE fitoi 56 deputetë, BDI 15 deputetë, PDSH 8, ndërsa RDK e Osmanit 2 deputetë. Formimi i Qeverisë duhet të ketë një mazhorancë prej 61 deputetëve, ndërsa koalicioni i ri pritet të ketë 71 deputetë nga 123 sa numëron Parlamenti i Maqedonisë.