Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 17:37

Shkup – Trajko Veljanovski është propozuar për kryetar të  Parlamentit të Maqedonisë. Ai deri më tani ka ushtruar të njëjtën detyrë. Kandidatura e tij është nominuar nga VMRO-DPMNE dhe nga ana e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.

Propozimi për Veljanovskin do të dorëzohet për votim pranë Parlamentit, ku edhe pritet të marrë dritën jeshile. Kundër kandidaturës së tij janë deklaruar partitë opozitare, LSDM dhe PDSH.

Deputetët e LSDM-së dhe PRSD-së opozitare, Emilijan Stankoviq, Goran Minçev dhe Goran Misovski, kanë thënë se Veljanovski nuk duhet të ushtrojë detyrën, pasi që gjatë periudhës së kaluar ai lejoi miratimin e shumë ligjeve pa opozitën dhe nuk i pastroi incidentet në Parlament.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu, kërkoi që BDI si partnere e koalicionit të deklarohet se përse e përkrah Veljanovskin për kryeparlamentar dhe a është mbështetja e tij si pjesë e koalicionit.

Por, në mbrojtje i kanë dalë bashkëpartiakët Silvana Boneva dhe Aleksandër Spasenovski, duke thënë se duhet të vlerësohet angazhimi i Veljanovskit në tri vitet e kaluara.

Veljanovski ishte etiketuar si dorë e zgjatur e partisë në pushtet VMRO-DPMNE.