Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 16:46

Shkup – Parlamenti i Maqedonisë ka verifikuar sot mandatin e 121 deputetëve, pasi që Komisioni verifikues ka konfirmuar mandatin e tyre, ndërsa kryetarja e Komisionit, Svetllana Jakimovska, ka prezantuar raportin e zgjedhjeve.

“Zgjedhjet kanë kaluar në atmosferë fer dhe të qeta siç kanë konfirmuar në OSBE dhe ODIHR”, ka thënë Jakimovska.

Në seancë është zgjedhur edhe Komisioni për zgjedhje dhe emërime, që duhet të vendosë deri te Parlamenti propozimin për kryetar të Dhomës Legjislative, por në këtë ka reaguar Izet Zeqiri, nga RDK, i cili ka thënë se “proporcionalisht në këtë Komision duhet të ketë edhe anëtare nga partia e tij”.

Në seancën e sotme konstituive kanë marrë pjesë presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ai i Gjykatës Supreme, kreu i KSHZ-së, përfaqësues të korit diplomatik, por, edhe pse të ftuar, kanë munguar ish-presidentët Kiro Gligorov dhe Branko Cërvenkovski.

Në këtë përbërje pritet të zgjidhet edhe kreu i ri i Parlamentit, ku burime partiake nga VMRO pohojnë se Trajko Veljkanovski sërish do rizgjidhet në këtë post.

Por, deri sa ka vijuar seanca konstituive, qindra qytetarë janë mbledhur para përmendores së “Nënë Terezës, për të protestuar kundër brutalitetit policor duke kërkuar ndriçimin e rastit ku pjesëtar i njësitit policor “Tigrat” në mënyrë brutale e rrahën deri në vdekje të riun Martin Neshkovski.

Grupi i demonstrantëve që nga Nënë Tereza më 11.30 janë drejtuar ka Parlamenti ku po mbahet seanca konstituive. Me fishkëllima dhe thirrje të parullave si “Mjaft më heshtje”, “Shtet policor”, “Kërkojmë drejtësi”, demonstruesit kanë rrethuar Parlamentin, të kapur për dorë në shenjë të solidaritetit, në qëllimin e përbashkët, që të vihet në kontroll aksioni brutal policor, përgjegjësia politike por edhe përgjegjësia e pjesëmarrësve në vrasjen e Neshkovskit.

Protesta do të zgjasë deri në ora 18:00, ndërsa do të vazhdojë derisa nuk përmbushen kërkesat që i janë deponuar Parlamentit.