Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 16:10

Shkup – Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), që udhëhiqet nga Rufi Osmani nuk kalkulon t’i bashkëngjitet koalicionit të VMRO DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e Qeverisë së re.

Zëdhënësi Armir Ramadani ka hedhur poshtë informatat që u plasuan në publik se RDK ka tendenca t’i bashkëngjitet koalicionit të ri qeveritar pasi që nga radhët e kësaj partie nuk komentojnë rrjedhën e negociatave VMRO-BDI si dhe kanë qenë të përmbajtur gjatë votimit të kryeparlamentarit të ri Veljanovski.

”Nuk është e saktë se kemi tendenca të tilla. Vota e përmbajtur nuk do të thotë pro, me atë kemi dashur të tregojmë se nuk jemi as me njërën as me tjetrën”, ka thënë Ramadani.

Ai ka informuar se RDK do të mbetet në opozitë dhe do të vazhdojë të konsolidojë partinë e vet.

”Sa iu përket negociatave BDI-VMRO ende është herët të komentojmë, le të mbarojnë njëherë dhe më pas do ta vlerësojmë pazarin e tyre politik. Por, kuptohet që në fillim si në çdo demokraci ne do të respektojmë ata 100 ditët e para të qeverisë së re”, ka shtuar zëdhënësi i RDK, Ramadani.

Siç është e njohur, integristët do t’i kontrollojnë vendet e zv/kryeministrit për marrëveshjen e Ohrit dhe atë për integrime, si dhe të Ministrinë për mbrojtje, drejtësi, ekonomi, ambient jetësor dhe vetëqeverisje lokale, kurse insistojnë që programi i tyre zgjedhor të qëndroj program qeverisës me nënshkrime të liderëve të Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit.

“Përkundër asaj vetëm sa e kanë humbur vendin presidencial në Parlament, i kanë humbur edhe vendet e tjera me ndikim ministrorë, si ministrinë e shëndetësisë, punën dhe politikën sociale”, ka thënë zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati, i cili konsideron se këto poste të ministrisë që i ka fituar BDI-ja do t’i qeverisë nën “mbikëqyrje” të VMRO-DPMNE-së.

Nga ana tjetër, përsëri, zv/kryeministri Abdylhaqim Ademi, para disa ditëve, theksoi se partia e tij ka arritur të marrë poste të ministrisë, kurse do t’i takojnë Fonde, Agjenci dhe drejtori të cilat deri më tani asnjëherë nuk ishin nën udhëheqje të shqiptarëve. (LajmeShqip.com)