Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 16:54

Shkup – Partnerët e deritanishëm të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të hënën mbrëma duhet t’i kishin filluar bisedimet e para për formimin e kabinetit të ri qeveritar në nivel të grupeve punuese.

Sipas burimeve, grupi i mandatit të Nikolla Gruevskit ka qenë i paraparë të udhëhiqet nga bashkëpunëtori i tij i afërt dhe shef i kabinetit, Martin Protugjer, ndërsa në negociatat është dashur të merr pjesë edhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Nga ana tjetër, përbërjet e BDI-së ishte e paralajmëruar se do t’i udhëheqë zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi, Ermira Mehmeti, Musa Xhaferi, Izet Mexhiti dhe Fatmir Besimi.

Sipas burimeve brenda partisë, prioritetet e liderit të tyre, Ali Ahmeti, kanë qenë të njohura ndërsa ato janë euro-integrimet dhe interesat nacionale e shtetërore.

Sipas të njëjtave burime, në takimin me grupin punues të VMRO-DPMNE-së do të kërkojnë, para se gjithash, platformë të përbashkët qeverisëse nga programi zgjedhor i të dy partive fituese, me qëllim që VMRO-DPMNE-ja të ndalojë t’i merr mbi vete të gjitha meritat, siç e kishte zakon në mandatin e kaluar.

Nga BDI-ja do të kërkojnë edhe mbylljen e çështjeve të hapura si Rastet e Hagës, zgjidhja e statusit të ish luftëtarëve të UÇK-së, ndryshime në Ligjin e gjuhëve, me qëllim që gjuha shqipe të bëhet gjuha e dytë zyrtare. BDI do të kërkojë, gjithashtu, kryetarin e Parlamentit si dhe ministër në njërin prej katër ministrive kryesore, Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Ministrinë e Financave, Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme.

Nga BDI-ja me siguri do të kërkojnë që ministri aktual i Ekonomisë, Fatmir Besimi, të ulet në kolltukun e resurseve financiare, pasi që nuk iu dha kolltuku për guvernator të Bankës Popullore. Gjithashtu, do të kërkohet edhe buxhet i barabartë si dhe simbole dhe ligje të reja shtetërore për përdorimin e flamurit shqiptar.

Zgjedhja për çështjen e emrit dhe anëtarësimi i shtetit në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE), si në zgjedhjet e kaluara në vitin 2008, ashtu edhe kësaj radhe, ishin prioritet kryesor në platformën e BDI-së. Por, këtë premtim, Ahmeti nuk arriti ta realizojë në mandatin e kaluar trevjeçar në qeverinë e Gruevskit. Funksionarët partiakë nga BDI-ja, potencuan se zgjidhja e çështjes së emrit edhe më tej ngelet prioriteti i tyre kryesor, por thonë se, nuk kanë qëllim ta kushtëzojnë me afate konkrete pasi që “kompromisi nuk varet vetëm nga Gruevski”. “Nuk dëshirojmë që Gruevski të ketë përshtypjen se jemi duke e kushtëzuar, por se e ka përkrahjen tonë, që sa më shpejtë të gjejë zgjidhje dhe Maqedonia t’i fillojë negociatat për anëtarësim në NATO dhe BE së paku deri në fund të këtij viti”, thotë një funksionar i lartë i BDI-së.

Në VMRO-DPMNE vazhdon heshtja. Nga partia e Gruevskit nuk kanë dashur të zbulojnë sa a janë të gatshëm t’ia plotësojnë kërkesat Ahmetit. Sipas kësaj partie, Gruevski gjithsesi se do të tentojë të gjejë kompromis me Ahmetin duke i dhënë foltoren e Trajko Veljanovskit. Për këtë pozicion nga ana tjetër si kandidat i mundshëm nga BDI-ja gjithnjë e më zëshëm përmendet emri i Teuta Arifit.

Që të dyja partitë theksojnë se deri në fund të kësaj jave shumë punë do të jenë më të qarta dhe më precize dhe se do të dihet formati i Qeverisë së ardhshme e më pas do të vendoset për zgjedhjen e stafit pasi që çdo njëri do të dijë çka dhe sa ka fituar nga “kulaçi” qeveritar.