Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 14:16

Shkup – Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe EVN janë dakorduar që t’i mbyllin rastet arbitrazhe në Uashington dhe Londër, ka bërë të ditur të enjten në konferencën për shtyp, zëvendëskryeministri i Çështjeve Ekonomike, Vlladimir Peshevski dhe Ginter Ofner, drejtor ekzekutiv i “EVN holding Maqedoni”. Ky hap i rëndësishëm pason pas zgjidhjes së procest gjyqësor mes ELEM dhe EVN në Maqedoni, muajin e kaluar.

“Duke e pasur parasysh faktin që çështjet e hapura mes Qeverisë së Maqedonisë dhe EVN AG- Vjenë, janë tejkaluar, u krijuan kushte për tërheqje të padive nga ana e EVN kundër Republikës së Maqedonisë. Palët u dakorduan që EVN AG t’i tërheqë kërkesat paditëse kundër Republikës së Maqedonisë para arbitrazhit në Londër me çka ky rast është mbyllur. Palët u dakorduan që EVN AG t’i tërheq edhe kërkesat paditëse në procedurë arbitrazhe para Qendrës ndërkombëtare për zgjidhje të kontesteve investuese në Uashington”, ka thënë Peshevski. Ai ka thënë se ndërkohë, pas miratimit të Ligjit të ri për eenergjetikë në shkurt të këtij viti dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për implementimin e rregullativës nënligjore në prill të vitit 2011, Sekretariati i Bashkësisë energjetike vendosi t’i mbyllë tre procedurat që u zhvilluan kundër Republikës së Maqedonisë.

“Me Marrëveshje të mbyllet procesi i arbitrazhit ndërkombëtar mund të konsiderohet se të gjitha çështjet e hapura mes dy palëve, Qeveria e RM-së dhe EVN, janë të vendosur në interes të shfrytëzuesve me çka njëherit krijohet bazë konstruktive për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe investime”, ka shtuar Ofner. Më 8 maj të vitit 2009 EVN AG Vjenë parashtroi kërkesë për ngritje të procedurës së arbitrazhit kundër Republikës së Maqedonisë deri te Qendra ndërkombëtare për zgjidhje të kontesteve investuese në Uashington lidhur me investimet në EEM dhe trajtimin e Qeverisë ndaj këtij investitori.

Ndryshe, më 11 maj të vitit 2010 EVN AG dorëzoi njoftim, me të cilën informoi se është parashtruar kërkesë për arbitrazh kundër Maqedonisë deri te Sekretariati i Odës ndërkombëtare tregtare – Gjykatës ndërkombëtare për arbitrazh me seli në Londër. Kërkesa është bazuar në dëm të legjislativës së Maqedonisë.