Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 18:05

Shkup – Komisioni për Lustrim ka konfirmuar se nuk do të ketë kodoshë në përbërjen e re Parlamentare, e cila duhet të jetë gati deri më 25 qershor. Dy kandidatët për deputet, për të cilët komisioni për lustrim vërtetoi se kanë qenë bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete, nuk kanë fituar numër të mjaftueshëm të votave në zgjedhjet parlamentare andaj nuk kanë gjasa të figurojnë në Parlament. Dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve Komisioni për lustrim vërtetoi bashkëpunimin e këtyre dy kandidatëve për deputet me shërbimet sekrete. Njëri nga kandidatët ishte bartës liste nga një parti më e vogël shqiptare, e cila i humbi zgjedhjet, ndërsa tjetri e njohur në shërbimet sekrete me nofkën “Veterinari” ka qenë në gjysmën e dytë të listës së kandidatëve nga njëra parti opozitare maqedonase.

“Nëse ndonjëri nga kandidatët për deputet për të cilët është vërtetuar se ka bashkëpunuar me shërbimet sekrete fiton mandatin e deputetet, ai do të shkarkohet. Do t’i shkarkojë Komisioni Shtetëror Zgjedhor”, ka thënë Tome Axhiev, kryetari i KL-së. Tani mbetet që KL të vërtetojë a kanë qenë kodoshë edhe kandidatët e tjerë për deputet.

Para zgjedhjeve, KL filloi ti kontrollojë rreth 1600 kandidatë për deputet.