Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 09:57

Shkup – Ministri i Mbrojtjes, Zoran Konjanovksi sot në Bruksel do të marrë pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe shteteve të cilat nuk janë pjesë e Aleancës, por që participojnë në Misionin ISAF në Afganistan.

Ministri i Mbrojtjes kumtoi se në takim, ministrat do ta konfirmojnë përkushtimin e tyre drejt Afganistanit i cili edhe më tej mbetet prioritet kyç i NATO-s. Temë kryesore do të jenë angazhimet për sigurimin e sundimit të së drejtës, si dhe të ardhmen e Misionit ISAF pas fundit të pritur të tranzicionit në vitin 2014.

“Në takim, ministri Konjanovski do ta konfirmojë kontributin e fuqishëm të Republikës së Maqedonisë në Misionin ISAF dhe do ta konfirmojë kontributin tonë të ardhshëm në Shkollën për polici ushtarake në kuadër të Misionit të NATO-s për trajnim”, thuhet në kumtesën e MM.

Në margjinat e takimit, Konjanovski ka më shumë takime bilaterale me homologët e tij.

Pas vizitës në Bruksel, ministri i Maqedonisë për Mbrojtje shkon për në Holandë ku më 10 qershor në Shveningen do ta vizitojë Johan Tarçullovskin.