Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 12:58

Shkup – Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov do t’ia ndajë sot mandatin për bërjen e Qeverisë, Nikolla Gruevskit, lider i VMRO-DPMNE-së, parti e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare fitoi më shumë vende të deputetëve. Ky është mandat i tretë i kreut të VMRO-së Gruevski, që nga viti 2006. Pas marrjes së mandatit, Gruevski ka 20 ditë që ta dorëzojë përbërjen dhe programin e qeverisë së re në Parlament. Dhoma legjislative e zgjedh qeverinë me shumicë votash. Zëvendës-kryeministri i obliguar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Abdilaqim Ademi ka thënë se është kontraktuar platformë e re qeveritare midis BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së.

“Në platformë do të jenë të gjitha temat dhe të gjitha çështjet e hapura, të cilat deri më tani nuk janë përmbyllur dhe ndoshta i kanë çrregulluar marrëdhëniet e ndërsjella. Me përmbylljen e të gjitha temave, ne dëshirojmë që Maqedonisë t’i sigurojmë të ardhme evropiane, si dhe zhvillim ekonomik. Kjo është hera e parë në Maqedoninë pluraliste, programi qeveritar të jetë i përbashkët dhe i përbërë nga programet zgjedhore të dy partive-fituese në zgjedhje”, ka thënë Ademi. Ndërkohë, Ermira Mehmeti-Devaja, nga BDI, të shtunën pas zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit, tha se ndarja fillestare e pozicioneve dhe resoreve në pushtetin e ri do të jetë 2:1.

Në seancën e parë konstitutive që u mbajt të shtunën, Parlamenti njëzëri i verifikoi mandatet e 123 deputetëve të rinj në Dhomën ligjvënëse, ndërsa Trajko Veljanoski sërish u zgjodh njeriu i parë i këtij institucioni.