Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 13:57

Shkup – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) është e gatshme që t’ua lë shqiptarëve postin e kryeministrit, nëse dy partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) pranojnë që të hyjnë në koalicion me këtë parti dhe të formojnë qeverinë e re, bëjnë të ditur për LajmeShqip.com burime brenda këtyre partive.

Burimet bëjnë të ditur se nëse të dy partitë shqiptare do të arrinin kompromis për të formuar bashkë qeverinë, ata do t’ua ofronin shqiptarëve postin e kryeministrit.

“Duke ua lënë postin e kryeministrit shqiptarëve do të dëshmonim se në Maqedoni nuk ka probleme ndëretnike dhe do t’i tregonim botës se edhe ne jemi të emancipuar. Kur mundet që Amerikën ta udhëheqë një person me ngjyrë, pse nuk do të mundet që Maqedoninë ta udhëheqë një shqiptar”, kanë thënë për Portalin LajmeShqip.com burime nga LSDM.

Ndërkaq, nga ana tjetër, do t’i jepej fund qeverisjes së Nikolla Gruevskit, i cili po e çon Maqedoninë drejt humnerës, ka thënë i njëjti burim. Ai ka sqaruar se në këtë mënyrë Maqedonia më shpejtë do t’i afrohej Evropës.

Partia e Branko Cërvenkovskit ende nuk iu ka bërë ofertë konkrete dy partive shqiptare, por ua ka dërguar atyre vetëm sinjalet e para jozyrtare.

Edhe pse oferta është mjaft joshëse, akoma nuk dihet se si do të vepronin të dy liderët shqiptarë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Para zgjedhjeve parlamentare Ahmeti ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me të gjitha partitë shqiptare, ndërsa, Thaçi, në mënyrë indirekte e ka përjashtuar bashkëpunimin me Ahmetin. Megjithatë, “ndërhyrjet” e Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare e kanë sjellë zbutjen e toneve midis Ahmetit dhe Thaçit.

LSDM, bashkë me koalicionin e partive të majta fitoi 42 mandate deputetësh në zgjedhjet e 5 qershorit, BDI fitoi 15 mandate, ndërsa PDSH 8 mandate deputetësh. Me 65 deputetë ata do të mund të kishin formuar qeverinë e re.