Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 18:10

Shkup – Vendimi për hyrjen e Kroacisë në BE është midis sukseseve më të mëdha të kryesimit të Hungarisë me Bashkimin Evropian, ndërsa kjo do të thotë edhe më shumë energji që do ta përshpejtojë euro-integrimin edhe për shtetet e tjera nga Ballkani Perëndimor, ka thënë ambasadori hungarez, Ferenc Kekeshi, në fjalimin e tij me rastin e përfundimit të kryesimit gjashtëmujor të vendit të tij me BE-në. Sipas ambasadorit hungarez, në krahasim para gjysmë viti, ka përparim të madh në rajon dhe rrugë të qartë drejt euro-integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“Fuqimisht besoj se ardhmëria evropiane e Maqedonisë është përplot me energji. Në axhendë duhet të vendosen negociatat për kontestin për emrin. Pas punës së mundimshme gjatë vitit të kaluar dhe zgjedhjet e realizuara me sukses, tani duhet të dihet qëllimi. Kryesimi hungarez ishte korrekt dhe i hapur ndaj Shkupit. Mesazhet ishin kristal të qarta – Maqedonia ka ardhmëri në Evropë dhe është pjesë e familjes evropiane dhe në interes të çdo vendi është që të zgjidhet çështja për emrin dhe të vazhdohet me negociatat. Çështja juaj kishte vëmendje të madhe dhe ishte në krye të agjendës evropiane gjatë kryesimit hungarez”, ka thënë Kekeshi, katër ditë para skadimit të mandatit të Hungarisë e cila nga 1 korriku kryesimin me BE-në do t’ia dorëzojë Polonisë. Ai ka shtuar se marrëdhëniet e Shkupit dhe Budapestit gjatë gjashtë muajve të kaluar kanë qenë intensive dhe me shumë vizita të përfaqësuesve të lartë, duke e përfshirë edhe vizitën e presidentit Gjorge Ivanov në Budapest dhe vizitën e kryeministrit Viktor Orban në Shkup.