Lajme Shqip Sunday, 19 June 2011 20:18

Shkup – Diplomatë ndërkombëtarë po shpeshtojnë deklaratat për të nxitur zgjidhjen sa më të shpejtë të kontestit të emrit dhe integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian (BE), ndërsa veprimet e fundit të Qeverisë cilësohen si provokime dhe rrezik për të bllokuar edhe më tej këto procese.

“SHBA-ja po vazhdon t’i mbështesë përpjekjet e KB-së në krye me Metju Nimicin për zgjidhjen e çështjes për emrin në afat të shkurtër, si dhe angazhimin aktiv të Athinës dhe Shkupit”, ka thënë zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Tomas Kantrimen. Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Kantrimen ka komentuar edhe vendosjen e shtatores së Aleksandrit në sheshin e Shkupit.

“Drejt zgjidhjes nuk kontribuojnë procedura dhe deklarata nga cilado palë që ndezin emocione. Në dy vendet, i nxisim qeveritë të tregojnë lidership, ndërsa mediet – përmbajtje, derisa Athina dhe Shkupi po përpiqen të gjejnë kompromis, sa më shumë që është e mundur”, ka thënë Kantrimen. Ai ka shtuar se Departamenti shtetëror vlerëson se kjo gjë imponon diskutime private, të matura, të drejtpërdrejta dhe me respekt, qëllimi i së cilave është zgjidhje e cila do të jetë në dobi të të dyja vendeve mike amerikane dhe gjë që do të mundësojë hyrjen e Maqedonisë në institucionet euroatlantike. Për vendosjen e Aleksandrit në sheshin e Shkupit ka reaguar edhe Athina zyrtare, ndërsa si provokim të drejtpërdrejt këtë akt e kanë cilësuar edhe shtypi ndërkombëtarë.