Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 17:32

Shkup – Lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski ka thënë se katër premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore do të nisin të realizohen që në mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar.

Heqja e tatimit për kompanitë me të ardhura vjetore deri në 3 milionë denarë, zvogëlimi i TVSH-së për turizëm dhe vajit të papërpunuar ushqimor, ulja e çmimit të kartonit të gjelbër për veturat dhe participim deri në 200 euro për të gjithë shtetasit që do të mjekohen jashtë vendit, do të jenë katër vendimet e para qeveritare, të cilat do të miratohen që në mbledhjen e parë të qeverisë së re.

Këto paralajmërime u bënë nga Gruevski para përkrahësve të partisë së tij, me rastin e shënimit të 21-vjetorit të themelimit të saj.

Gruevski paralajmëroi për negociatat për formimin e qeverisë, mirëpo duke mos dhënë detaje mbi to, ndërsa burime pranë kësaj partie thanë se negociatat janë drejt finalizimit për formimin e koalicionit të ri qeveritar.

VMRO-DPMNE-ja u formua më 17 qershor të vitit 1990, kurse për herë të parë e fitoi pushtetin në Maqedoni në vitin 1998, kur në krye të partisë ishte Lupço Georgievski. Pas disfatës elektorale të vitit 2002, Georgievski u tërhoq nga pozita e liderit, kurse vendin e tij ia la Gruevskit. Gruevski arriti që në tre cikle zgjedhore parlamentare të fitojë, duke filluar nga viti 2006 duke mbajtur kështu pushtetin. Në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 5 qershorit, kjo parti fitoi 56 deputetë.