Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 18:18

Shkup – Gjykata administrative e ka hedhur poshtë, si të pabazë, ankesën e Demokracisë së Re (DR), për parregullsitë e evidentuara në vendvotimin 2. 474, në Brezë të Shkupit. Arsyetimi i gjykatës bazohet në mungesën e dëshmive të dorëzuara nga ana e DR-së. Lëshimi kryesor nga ana e kësaj partie është se nuk ka reaguar për të njëjtat vërejtje në Komisionin Komunal Zgjedhor në afat prej 5 orëve, pas përfundimit të procesit të votimit.

Gjykatësit, për rastin konkret, kanë shqyrtuar materialin zgjedhor, procesverbalin si dhe formularët 16 dhe 21 që kanë të bëjnë me punën e këshillit zgjedhor dhe komisionin komunal zgjedhor. Në procesverbal edhe pse ka pasur vërejtje të theksuara nga ana e këshillit zgjedhor, të njëjtat nuk paraqesin shkelje të procesit zgjedhor që do të anulonte zgjedhjet në këtë vendvotim. Pas këtij vendimi të gjykatës, Demokracia e Re ka humbur të gjitha gjasat për të fituar të paktën një deputet në njësinë e dytë zgjedhore. Gjykata administrative, të dielën ka shqyrtuar katër ankesat e dorëzuar nga partia “Të bashkuar për Maqedoninë”. Në mesin e ankesave është edhe ajo për vendvotimin 1948 në Tetovë, ku kanë tepruar fletët e votimit dhe të njëjtat u janë ndarë përfaqësuesve të autorizuar të partive politike, ndërsa partisë së Lube Boshkovskit i kanë takuar 9 fletë votimi. KSHZ e hodhi si të pabazë këtë ankesë me arsyetim se në procesverbal nuk ka vërejtje të kësaj natyre dhe se përfaqësuesi i autorizuar për rastin në fjalë, nuk ka reaguar as në komisionin komunal zgjedhor, por pas dy ditësh rastin e ka evidentuar tek noteri. Të hënën pasdite skadojnë të gjitha afatet ligjore për ankimime. Pas kësaj dite pritet që të verifikohen edhe mandatet e deputetëve të rinj. Kryetari i përbërjes së kaluar parlamentare, seancën konstituive duhet ta thërras më së voni deri më 26 qershor.