Lajme Shqip Wednesday, 14 September 2011 18:08

Shkup – Përmendoret e personaliteteve shqiptare Pjetër Bogdani, Josif Bageri dhe Nexhat Agolli, pjesë e projektit “Shkupi 2014”, janë duke u përpunuar nga skulptorët dhe pritet që në muajin tjetër të vendosen në qendrën e Shkupit.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani, ndërsa edhe nga Komuna qendër kanë dhënë informata të ngjashme.

“Duhet ta keni parasysh se përmendoret e personaliteteve shqiptare nuk janë duke u vonuar me qëllim apo diçka të ngjashme, por sikur se e dini, propozimi për përpunimin e tyre është dorëzuar më vonë se sa për përmendoret maqedonase, prandaj për arsye logjike deri më tani nuk janë në sheshin e Shkupit, për kohën që duhet kaluar të përgatiten të njëjtat“, ka thënë zëdhënësi i BDI-së.

Ai ka shtuar se BDI kur është bërë pjesë e Qeverisë e ka gjetur projektin “Shkupi 2014” të gatshëm dhe mono-etnik. “Për këtë arsye ne bëmë përpjekje për ta pasuruar atë me figura shqiptare, që projekti të pasqyrojë prejardhjen multi-etnike të vendit, dhe propozimi u pranua nga Komuna Qendër. Tani ato përgatiten nga autorët dhe presim që së shpejti të jenë gati”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, edhe nga Komuna Qendër kanë konfirmuar të njëjtën. “Përmendoret e personaliteteve shqiptare të projektit ‘Shkupi 2014’ janë në fazë të përpunimit”, është përgjigjur shkurt zëdhënësi Jovica Ackovski. Sipas vendimit të miratuar më 16 qershor, në në një seancë të Këshillit të Komunës Qendër, duhet që Nexhat Agolli të jetë i vendosur afër Goce Dellçevit në sheshin Maqedonia, Pjetër Bogdani në parkun “Zhena -borec”, ndërsa Josif Bageri do të qëndrojë para Teatrit të vjetër. Përmendoret do të jenë në lartësi prej afër pesë metrash, ndërsa, sipas kryetarit të komunës, Vlladimir Todoroviq, vlera e tyre do të jetë prej rreth 70.000 eurosh.

Sipas të dhënave, skulptorja Lindita Beqiri është duke punuar përmendoren e Pjetër Bogdanit, themelues i letërsisë shqipe. Ideja e saj u zgjodh në konkursin e Komunës, për çka do të fitojë 200.000 denarë. Ndryshe, ky projekt tanimë e ka kaluar shumën prej 80 milionë eurove, për të cilat Qeveria vërtetonte se do të kushtojë projekti. (LajmeShqip.com)